Prishtinë, 30 mars - Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri është pritur në selinë e NATO-s në Bruksel nga z. Michel Soula, zëvendësndihmës i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s. Në këtë takim znj. Edita Tahiri njohu z. Soula për përparimet e Republikës së Kosovës në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë dhe falënderoi NATO-n për kontributin e dhënë gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe pasluftës në ruajtjen e sigurisë në vend dhe fuqizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s. Ajo tha se aspirata e Kosovës është që sa më parë të integrohet në NATO, si një anëtare me të drejta të plota dhe të kontribuojë pozitivisht për sigurinë rajonale dhe globale. Zëvendëskryeministrja Tahiri shtoi se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar dhe është duke i plotësuar të gjitha standardet që kërkohen për anëtarësim. Ajo po ashtu theksoi që Republika e Kosovës është duke lobuar që të shtojë numrin e njohjeve dhe është e koncentruar në reforma pozitive në vend.
Nga ana e tij, z. Soula uroi zëvendëskryeministren Tahiri dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për një udhëheqje vizionare dhe maturi politike që po e demonstrojnë në përparimin e vendit në planin e brendshëm dhe të jashtëm. Ai tha se NATO mbetet e përkushtuar për ta mbështetur Kosovën në planin e sigurisë dhe të rrugës së Kosovës drejt integrimit në NATO. Z.Soula vlerësoi zhvillimin pozitiv të FSK-së duke shtuar se NATO do të vazhdojë të përkrahë këtë forcë edhe në të ardhmen.
Gjatë bisedës u vlerësua në veçanti angazhimi i Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, si dy shtete të pavarura, si dhe efektet pozitive të këtij procesi në afrimin e Kosovës me familjen euro-atlantike.
Zëvendëskryeministrja Tahiri u prit edhe nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë në NATO, z. Artur Kuko, me të cilën biseduan për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në Shqipëri. Ajo e njohu ambasadorin Kuko me përparimet e Kosovës dhe angazhimet e Qeverisë për reforma të thella në vend. Ajo tha se ndjehet shumë e gëzuar që Shqipëria është tani anëtare e NATO-s duke bërë të ditur përparimet që po bënë Kosova për integrime euro-atlantike.
Ambasadori Kuko ofroi përkrahjen e tij në ndihmë të përpjekjeve të Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO.
Zëvendëskryeministrja Tahiri pati një takim me të gjithë përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare të BE-së, që merren me çështjet e Ballkanit (COWEB). Ajo i informoi ata mbi zhvillimet në raundin e dytë të dialogut teknik në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Ndër të tjera theksoi vazhdimin e frymës konstruktive të dialogimit dhe përmendi se janë shënuar disa arritje, sidomos për regjistrat civil, të cilat i janë marrë Kosovës në kohën e luftës. Përparime ka edhe për dokumentacionin kadastral, i cili duhet t’i kthehet Republikës së Kosovës nga Serbia, pastaj në trajtimin e ndërhyrjeve ilegale të Serbisë në Kosovë, me theks të veçantë në fushën e telekomunikacionit dhe energjetikës. Ajo po ashtu shtoi se është hapur shkurtimisht e çështja e lëvizjes së lirë të qytetarëve.
Zëvendëskryeministrja Tahiri siguroi të gjithë përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së se Republika e Kosovës do të vazhdojë ta trajtojë çështjen e dialogut teknik me seriozitet dhe tha se pala e Kosovës do të jetë konstruktive drejt gjetjes së zgjidhjeve. Ajo po ashtu shtoi se ky dialog do të mbetet në suazat e parapara të karakterit teknik, sepse çështja e statusit të Kosovës është kapitull i mbyllur.
Zëvendëskryeministrja Tahiri shtoi se në takimin me Baroneshën Ashton kërkoi më shumë qartësi rreth përfitimeve të Kosovës drejtë integrimit evropian, duke shtuar se kërkesë parësore është liberalizimi i vizave, hyrja në marrëdhënie kontraktuale me BE-në duke nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim-Asocim dhe përshpejtimin e marrjes së statusit të kandidatit.
Në këtë takim znj. Tahiri u përgjigj pyetjeve të shumta të përfaqësuesve në BE të vendeve anëtare dhe mori përkrahjen nga shumica e tyre për rrugën e Kosovës drejtë BE-së dhe NATO-s.
Zëvendëskryeministrja Tahiri gjatë qëndrimit në Bruksel po ashtu ka takuar edhe raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, znj. Ulrike Lunaçek, me të cilën ka biseduar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për dialogun teknik, të filluar në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Edhe në këtë takim znj. Tahiri ka përsëritur përparimet e Kosovës drejt integrimit evropian. Znj. Lunaçek ka thënë se vendet e BE-së e përkrahin dialogun teknik të nisur dhe se ky është një hap shumë pozitiv drejt normalizimit të marrëdhënieve në rajon dhe se nga ky dialog do të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve si dhe të dyja vendet do të afrohen më shumë me BE-në.
Në vazhdim të qëndrimit në Bruksel zëvendëskryeministrja Tahiri është takuar me ambasadorin e Greqisë pranë BE-së z. Sotiropoulos Theodoros. Në këtë takim është biseduar për avancimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Greqisë. Znj. Tahiri ka falënderuar ambasadorin grek për përkrahjen e shtetit grek për Kosovën duke theksuar se njohja e pasaportave të Kosovës nga Greqia ishte një hap pozitiv dhe ka ftuar Greqinë që të shtoj mbështetjen duke njohur Republikën e Kosovës.
Ambasadori Theodoros tha se Greqia po i përcjell me vëmendje përparimet në Kosovë dhe rajon, dhe se vendi i tij e mbështet dialogun teknik dhe vlerëson qasjen konstruktive të të dyja palëve.
Në këto takime zëvendëskryeministrja Edita Tahiri shoqërohej nga këshilltari politik i kryeministrit Thaçi, këshilltari kryesor i saj, Dren Zeka, nga Drejtori i Autoritetit Rregullator të Aviacionit Civil, Dritan Gjonbalaj dhe zëvendës-ambasadori i Kosovës në Bruksel, Valon Krasniqi.