Tërmeti prej 9 shkallë të Rihterit që goditi kohë më parë Japoninë dhe shkaktoi formimin e një cunami shkatërrues që fshiu shumëçka para vetës dhe dëmtoi një pjesë të reaktorëve bërthamor të një Centrali Bërthamor në Fukushima dhe shkaktoi humbjen e jetës të më shumë se 10,000 njerëzve, ka pasur ndikimet e veta edhe në ekonominë botërore të elektronikës.
Shumë prodhues të cilët kanë qendrat e tyre në Japoni kanë qenë të prekur nga mungesat e energjisë elektrike dhe nga dëmtimet prej fatkeqësisë natyrore, dhe si rezultat i kësaj janë detyruar të ndalojnë prodhimin gjersa të bëhen rregullimet e nevojshme në këtë proces. Kjo ka pasur për efekt shfaqjen e mungesave të pjesëve të ndryshme elektronike për prodhues të ndryshëm, ku është prekur edhe Apple. Apple ka thënë gjatë ditës së sotme se ngjarjet e fundit në Japoni kanë dëmtuar kompaninë dhe kanë shtyrë që të ketë mungesa në furnizim të klientëve me iPhone, iPad dhe iPod.
Si rezultat i kësaj Apple përmes një takimi të mbajtur sot ka prezantuar para gazetarëve mundësinë e investimit në shtetin e Kosovës. “Sot ju kemi thirrur në këtë takim për t’ju prezantuar një ide të re të zhvillimit të Apple” u shpreh Steve Jobs. Ai nuk e zgjati më shumë fjalimin e tij, por la vend për udhëheqësin e këtij projekti Kaukke Lee, të cilin ai e quajti “Të investosh në Kosovë”. Përfaqësuesi i Apple, z. Lee tregoi se për shkak të pozitës strategjike të Kosovës dhe pozitës së mirë gjeografike, Apple do të ndërtojë disa fabrika të reja të saja që do të mundësojnë furnizim më të mirë të njësive të saja prodhuese në mënyrë që të mos ketë ngecje në procesin e prodhimit. “Kosova po zhvillohet dhe vendet e këtilla janë një gjenerues i mirë i kuadrove të kualifikuara dhe të rinjve entuziast për punë” u shpreh ai.
Në projektin e prezantuar Apple tregoi disa lokacione në Kosovë ku do të ketë gjasa për ndërtimin e fabrikave, por se në këtë drejtim ka kërkuar mbështetjen e institucioneve të Kosovës dhe të përfaqësuesve të ndërkombëtar. “Nuk e kemi publikuar këtë projekt sepse kemi dëshiruar ta ruajmë si befasi” u shpreh para medieve z. Lee.
Në anën tjetër ne kemi kontaktuar edhe me zyrtarë të institucioneve të Kosovës por kemi marrë vetëm këtë përgjigje: “Nuk jemi në dijeni për këtë!”. Por ju lexues të PCWorld Albanian besoj se ju bë qejfi të dëgjonit një lajm të këtillë të mirë për shtetin e Kosovës që po ka nevojë për investime dhe zhvillime të mëtutjeshme, megjithatë para se kjo do të ndodh duhet që Kosova të jetë e anëtarësuar në OKB, të ketë vula doganore të njohura ndërkombëtarisht, të ketë politika të definuara mirë të investimeve ekonomike, procedura të shpejta të regjistrimit të bizneseve e shumëçka tjetër, prandaj para se kjo të ndodh le të festojmë ditën e gënjeshtrave dhe ju urojmë përzemërsisht një prillin sepse këtu nuk ka asgjë të vërtetë. Aprililililili....