Festa e Pashkëve u shënua në Prishtinë, me Meshën e Ringjalljes në Katedralen e së Lumes Nëna Terezë në Prishtinë. Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, i cili e udhëhoqi meshën, tha se mesazhi i Pashkëve bart në thelbin e vet porosinë për paqe, dashuri, pajtim, jetë të drejtë, të ndershme dhe të mirë. Ai porositi se përgjegjës për paqen dhe dashurinë në Kosovë duhet të jenë vetë qytetarët, por edhe udhëheqësit.
Ndezja e qiriut të Pashkëve shënoi mbrëmë fillimin e Meshës së Ringjalljes në Katedralen e së Lumes Nëna Terezë në Prishtinë, të cilën e udhëhoqi ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji. Ai me këtë rast tha se e falënderon Zotin për mundësinë që festën e Pashkëve ta shënojë bashkërisht me besimtarët katolikë, pas agjërimit kreshmor dhe treditëshit të shenjtë.
“Me zemër të pastër dhe plotë gëzim, mund t’i bashkohemi sonte klithjes së të gjithë të krishterëve të botës; haleluja, haleluja, Krishti është ngjallur. Në mënyrë të veçantë, dëshiroj që ta falënderoj Zotin, që sonte i njëjti gëzim shpërthen në zemrat e të gjithë besimtarëve tanë, në të gjitha kishat tona, të Kosovës, por edhe te besimtarët tanë në diasporë dhe në vende të ndryshme të botës, ku janë të përcjellë nga priftërinjtë tanë dhe sonte i luten Zoti shqip”, tha Dodë Gjergji.
Gjatë meshës, ipeshkvi Dodë Gjergji iu lut Zotit që ta bekojë, ta ruajë dhe ta mbushë me paqe e dashuri popullin e tij në Kosovë, që, siç u shpreh ai, “është populli më i vuajtur ndër shekuj dhe që ka përjetuar padrejtësi të shumta dhe të shpeshta”.
Ndërkaq për Radion Evropa e Lirë ai ipeshkvi Dodë Gjergji tha se dëshiron që porosia e festës së Pashkëve për popullin e Kosovës dhe udhëheqësit e tij, të jetë porosi paqeje.
“Sigurisht që mesazhi i Pashkëve bart në thelbin e vet porosinë për paqe, dashuri, pajtim, falje dhe kthesë në një jetë të drejtë, të ndershme dhe të mirë. Së këndejmi edhe të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh, ata që na udhëheqin apo ne që lejojmë të udhëhiqemi, duhet të kemi të njëjtat përgjegjësi, që të bëhemi bijtë e dashurisë dhe të paqes”. /Telegrafi/