Megjithëse jemi vendi më i izoluar në rajon, Kosova me një varg aktivitetesh festueses shënon 9 majin, Ditën e Evropës.
Në një publikim të Forum 2015 të botuar në 2009, shkruan se Kosova aktualisht është vendi më i izoluar në botë. Vetëm në 4 shtete kosovarët mund të udhëtojnë pa viza; shumë vende akoma nuk e kanë njohur pasaportën kosovare, dhe një pjesë e madhe e kufijve të saj janë të pakalueshëm.
Po ashtu, në publikim thuhet se kosovarët paguajnë vizat më të shtrenjta në rajon – derisa të gjitha vendet tjera ballkanike, nga 1 janari 2008, e kanë të përjashtuar një pjesë të madhe të qytetarëve nga pagesa e vizës, aplikuesit kosovarë bëjnë shpenzime shumë të larta - mesatarisht 119 euro, nëse aplikojnë në Prishtinë, dhe 132 euro kur aplikojnë në Shkup. Krahasuar me rrogën e 300.000 shërbyesve civile në Kosovë, një aplikim për vizë merr afër 60% të kësaj rroge.
Kosova është vendi të cilit i është vendosur regjimi i vizave nga më së shumti shtete. Numri i shteteve ku kosovarët mund të udhëtojnë pa viza, është vetëm 4, dhe ky është numri më i vogël sot në botë. Pas Kosovës vjen Afganistani me 20
shtete ku qarkullon lirë dhe pa viza, e mbi te Iraku me 23 dhe Somalia me 25 vende ku udhëtojnë pa viza.
Kosova është i vetmi vend Ballkanik të cilës i duhen viza për të udhëtuar edhe brenda këtij rajoni. Nga 10 vende Ballkanike, asaj i duhet të udhëtojë me vizë në 4: Bullgari, Rumani, Greqi dhe Kroaci; nuk mund të udhëtojë fare në 2 shtete (Serbi dhe
Bosnje), dhe mund të udhëtojë lirisht vetëm në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Turqi.
Megjithatë, Dita e Evropës në Kosovë shënohet me një varg aktivitetesh festuese!
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga merr pjesë në ceremoninë zyrtare për shënimin e Ditës së Evropës, të organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Me rastin e Ditës së Evropës, edhe Komuna e Prishtinës ka përgatitur një program artistik dhe sportiv. Shënimi i kësaj dite fillon në orën 10:00, ku para Teatrit Kombëtar do të zhvillohet një turnir i street ball-it, i cili do të përcillet me muzikë.
Ndërsa “Qendra Rinore e Komunës së Prishtinës” tek shtatorja e Skënderbeut, do të organizoje një punëtori të pikturës me artistë të rinj, ku për temë do të kenë BE-në.
Ndërkaq, në orën 12:00, fillon programi artistik, ku do të paraqiten grupe të ndryshme kulturore të fëmijëve, do të mbahet olimpiada e personave me aftësi te kufizuar dhe në 14:00 do të paraqitet një grup muzikor.
Evropa po ashtu shënon ditën e saj 9 Majin, simbolin evropian, që bashku me euron, flamurin dhe himnin, paraqesin identitetin politikan të Bashkimit Evropian. Në këtë ditë në vitin 1950 Robert Shuman prezantoi propozimin për krijimin e Evropës së organizuar, si opsion për ruajtjen e paqes në kontinentin e ndarë dhe të shkatërruar nga luftërat. /Telegrafi/