Ende pa bërë asnjë ditë jetë, strategjia e lotimit për njohje të pavarësisë së Kosovës ka hasur në pengesë-madje prej vetë Qeverisë së Kosovës.
Marrëveshja e re e koalicionit qeverisës mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re i ka dhënë kompetenca shtesë në çështjen e lobimit zëvendëskryeministrit të parë, Behgjet Pacolli, gjë që nuk është marrë parasysh në kohën kur strategjia origjinale është hartuar, shkruan Koha Ditore.
Drafti për lobim, i hartuar nga disa ambasadorë kosovarë në bashkëpunim me ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj, i është dorëzuar presidentes Atifete Jahjaga, në mënyrë që në kapacitetin e udhëheqëses së politikës së jashtme të Kosovës, edhe Presidenca të japë kontributin e vet në strategji.
Mirëpo dokumenti ku bëhet analizë e detajuar e shteteve që nuk na kanë njohur, e edhe jepen instruksione se çfarë qasjeje duhet që të ketë Kosova ndaj këtyre shteteve, ka mbetur në gjysmë. Ai po ashtu pret përgjigjet nga Presidenca dhe institucionet e tjera, në mënyrë që pas dy javësh të miratohet në qeveri.
Ndërkohë në marrëveshjen e re për koalicionin PDK-AKR parashihet që lotimi të bëhet ndryshe nga strategjia. Në marrëveshjen e re madje presidentja nuk figuron si udhëheqëse e procesit, por zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli. Sipas marrëveshjes, do të krijohet një “task forcë” për lobim, e që do të udhëhiqet nga Pacolli.
Për më shumë marrëveshja i jep Pacollit të drejtën e ndryshimit të strategjisë. “Zëvendëskryeministri ka të drejtë të punojë për zbatimin, eventualisht dhe rishikimin apo përshtatjen e kësaj strategjie në mënyrë progresive në varësi të angazhimit të aktorëve vendës dhe ndërkombëtarë”, thuhet në marrëveshje.
“Kësaj ‘task force’ mund t’i bashkohen edhe personalitete të shquara vendëse dhe ndërkombëtare, që kanë potencial suksesi në veprimtarinë për njohjen e shtetit të Kosovës”, thuhet në marrëveshje. Strategjia për lobim e hartuar nga ambasadorët dhe ministri i Jashtëm nuk e ka parashikuar rolin e zëvendëskryeministrit të krijuar nga marrëveshja mes PDK-së dhe AKR-së.
Megjithatë, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Artan Behrami ka thënë se nuk ka kurrfarë përplasje mes strategjisë dhe marrëveshjes në koalicion.
MPJ-ja sipas tij, do t’i pranojë të gjitha sugjerimet plotësuese për strategjinë. /Telegrafi/