Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin e Bashkimit Evropian (BE) për zgjerim, Pierre Mirel, është shprehur optimist për procesin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai nuk është lëshuar në komente të tjera, por e ka vlerësuar si proces të rëndësishëm që do të ndikojë edhe në zgjidhjen e problemeve konkrete. Këto deklarata Mirel i ka bërë pasi bashkë me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka hapur Festivalin e Fëmijëve “Lojë për të gjithë” në Lagjen e Romëve të martën në Mitrovicë.
Duke folur për mospërfshirjen e Kosovës në liberalizimin e vizave, ai theksoi se procesi i bashkimit me BE-n duhet të shihet në perspektivë. “Anëtarësimi në BE nuk është marrëveshje tregtare”, ka thënë Mirel.
Sipas tij, ky është një proces afatgjatë dhe nuk mund të pritet që krejt problemet të zgjidhen përnjëherë. Sa i përket veriut të Kosovës, ai tha se kjo pjesë e Kosovës duhet të ndihmohet meqë atje nuk ka asnjë lloj aktiviteti apo veprimtarie ekonomike.
“Në programin tonë kemi disa plane që të ndihmojmë edhe veriun e Kosovës”, tha ai. Në anën tjetër, Mirel e ka vlerësuar si aktivitet të rëndësishëm Festivalin e Fëmijëve “Lojë për të gjithë” që organizohet nga Zyra Ndërlidhëse e KE-së në Kosovë.
“Ky festival organizohet në krejt Kosovën dhe jam i nderuar që e hapi këtë në Lagjen e Romëve. Ky festival është krijuar për fëmijë dhe luhet nga fëmijët”, tha ai.
Ai e ka vlerësuar të rëndësishëm ambientin e krijuar në Lagjen e Romëve, ku janë ndërtuar shtëpi dhe banesa të reja. Sipas tij, kjo është bërë e mundur fal përkushtimit të BE-së, Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komunës së Mitrovicës.
“Para 30 minutave isha në kampin në veri, ku ende ka banorë që jetojnë në kushte të rënda. Shpresoj që gjatë këtij viti ta mbyllim atë kamp”, është shprehur Pierre Mirel.
Ai ka folur edhe për Qendrën e Edukimit që do të hapet në këtë lagje, ku do të ofrohet ndihmë për edukimin e fëmijëve dhe qytetarëve që jetojnë aty.
Në anën tjetër, kryetar i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka falënderuar Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Komisionin e Bashkimit Evropian (BE) për zgjerim, Pierre Mirel, për ndihmën e vazhdueshme për Kosovën dhe Mitrovicën.
“Komuna e Mitrovicës është në proces zhvillimor që të krijojë kushte dhe rrethana më të mira për fëmijët dhe të rinjtë”, tha Kastrati.
Sipas tij, Komuna e Mitrovicës është e përkushtuar që në mbështetje të BE-së të rrit mirëqenien e këtij komuniteti që përbën një pjesë të popullatës së Kosovës.
Në emër të banorëve që jetojnë në Lagjen e Romëve, ka folur Latif Masurica, i cili ka shprehur mirënjohjen e tyre për ndihmën e BE-së, Qeverisë dhe Komunës për krijimin e kushteve më të mira për jetë.
“Kjo është një rifillim i një jetë të re për ne”, ka thënë Masurica./kosovapress/