Kosova dhe Serbia arritën të enjten marrëveshje për vulat doganore dhe regjistrat kadastralë. Bashkimi Europian njoftoi se si rezultat i marrëveshjeve të arritura do të hiqet embargoja tregtare mes dy vendeve.
Ndryshe nga e kaluara kur negociatorët i ishin drejtuar njëri-tjetrit me mirësjellje, në raundin e gjashtë ata janë shfaqur me fytyra të ngrysura. Tahiri dhe Stefanovic kanë shtrënguar duart dhe kanë pozuar para kamerave në prani të ndërmjetësit të BE’së, Robet Cooper dhe të dërguarit amerikan në bisedime, diplomatit Philip Reeker.
Bashkimi Evropian përmes një deklarate për media ka njoftuar se takimi mes Prishtinës dhe Beogradit ka rezultuar me marrëveshje, por aty nuk thuhet se kur pritet të fillojë zbatimi i marrëveshjes.
Në fushën e qarkullimit të lirë të mallrave, palët janë pajtuar që vulat doganore me shenjën “Dogana e Kosovës” do të pranohen. Kjo marrëveshje do t’i konfirmohet të gjitha palëve të CEFTA-s. Si rezultat, embargoja reciproke tregtare do të hiqet, thuhet në njoftim, raporton “Express”.
Në komunikatën e BE-së vlerësohet se kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të marrëdhënieve në rajon dhe për sigurimin e qarkullimit të lirë të mallrave në harmoni me vlerat europiane.
BE ka njoftuar edhe për marrëveshjen rreth kadastrës. Po ashtu, njoftohet se dy delegacionet kanë vazhduar diskutimet në lidhje me telekomunikacionin, energjinë dhe diplomat universitare, derisa theksohet se shkurtimisht është diskutuar edhe rreth pjesëmarrjes së Kosovës në forumet rajonale.
BE ka njoftuar se takimi i radhës do të mbahet gjatë muajit shtator.
Marrëveshja për vulat doganore pritet t’i hapë rrugë sërish qarkullimin të mallrave mes dy vendeve, të cilat janë ndërprerë për shkak të vendimit të autoriteteve kosovare për të intervenuar në pjesën veriore.
Edita Tahiri në një prononcim për mediat kosovare ka deklaruar se takimi ka përfunduar me “rezultate të mira”. Ajo ka thënë se zbatimi i marrëveshjeve pritet të fillojë menjëherë - pa dhënë ndonjë afat të saktë - ndërsa e ka quajtur lajm të mirë edhe marrëveshjen për kthimin e dokumentacionit kadastral.
Pas përfundimit të takimit në Bruksel, Tahiri ka folur edhe për bashkëbiseduesin e saj, negociatorin serb Borko Stefanovic, të cilin e ka quajtur njeri që krijon probleme.
“Deri në korrik e kam parë si një njeri të dialogut, por tani ai sillet si njeri që krijon probleme”, ka thënë negociatorja kosovare. /Telegrafi/