Raporti i pavarur monitorues i KDI-së për prill të këtij viti ka konstatuar forcimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit mbi Qeverinë, që ka qenë ndër të metat e evidentuara të Raportit të Progresit të BE-së për vitin e kaluar.
Mbikëqyrja parlamentare ishte lëvizja më pozitive që filloi të dinamizohet në prill për të vazhduar pastaj edhe në muajin maj. Gjatë prillit, në komisionet parlamentare, kanë raportuar tre ministra të kabinetit qeveritar, shkruan Kosova Sot.
Më 4 prill, Ministria e Financave kishte kërkuar pëlqimin e Komisionit për buxhet dhe financa, që të caktohet tatim në normën e akcizës për lojërat e fatit. Ministri I Financave, Bedri Hamza e ka njoftuar komisionin se deri më korrik 2010, lojërat e fatit e kanë paguar TVSH-në lidhur me aktivitetet e tyre, mirëpo, pas harmonizimit të legjislacionit me BE-në, është konstatuar se lidhur me lojërat e fatit nuk mund të paguhet TVSH-ja.
Në mungesë të normave ligjore që nga ajo kohë lojërat e fatit nuk kanë paguar as një tatim, përveç atyre të zakonshmeve si çdo biznes tjetër, duke mos përfshirë TVSH-në, dhe kjo ka bërë që ato të lulëzojnë në tërë vendin edhe për shkak të shtimit të varfërisë në vend. Anëtarët e komisionit e kanë mirëpritur këtë vendim të Qeverisë dhe e kanë përkrahur atë duke i dhënë edhe pëlqimin komisionit.
Ndërkohë, më 8 prill, para Komisionit për integrime evropiane ka raportuar ministrja Vlora Çitaku. Ajo ka raportuar për aktivitetet e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, për vonesën e marrjes së strategjisë për liberalizimin e vizave, riatdhesimin, si dhe buxhetin e kësaj ministrie.
Në po të njëjtën datë, para Komisionit për punë të jashtme, për procesin e bisedimeve me Serbinë, ka raportuar zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri. Zëvendëskryeministrja Tahiri ka paraqitur para komisionit rrjedhën e bisedimeve të deritashme me Serbinë, por duke mos u futur në detaje. Por, tek pas fillimit të pyetjeve nga anëtarët e komisionit, Tahiri ka filluar të flasë më shumë për temat e diskutuara deri në atë raportim. /Telegrafi/