Çështja e mospagesës e pjesës retroaktive për muajin janar dhe
shkurt, ka detyruar sindikalistët e Policisë së Kosovës që t’ia tërheqin
vërejtjen ekzekutivit të vendit se nëse nuk realizon vendimin për
rritje të pagave, atëherë të martën së bashku edhe me sindikatat tjera
do të merret një vendim që mund të çojë deri të bojkoti i punës.Mundësia
për ndërprerje të punës edhe nga forcat e rendit nuk përjashtohet pasi
që Qeveria “Thaçi 2” nuk ka arritur që të përmbushë vendimin për rritje
retroaktive të pagave për muajin janar dhe shkurt të këtij viti, shkruan
Zëri.
“Kryesia Qendrore e Sindikatës të Policisë së Kosovës e fton Qeverinë
e Kosovës të bëjë zgjidhje edhe për pagesën e pjesës retroaktive të
ngritjes së pagave për muajt janar dhe shkurt të këtij viti, sikur
parashihet me pikën 10 të vendimit, duke pasur parasysh se të gjithë
punonjësit janë duke e pritur këtë”, thuhet në njoftimin e kësaj
sindikate.
Shaban Tasholli, nënkryetar i Sindikatës policore, ka sqaruar se ky
reagim i pjesëtarëve të uniformuar ka për qëllim që t’ia rikujtojë
ekzekutivit se duhet përmbushë obligimin për rritje të pagave shtesë në
përputhje me vendimin e marrë.
Megjithatë, ai nuk ka mundur që të prejudikojë për veprimet e
mëtutjeshme të sindikalistëve policorë, pasi sipas tij, gjatë ditës së
martë të gjitha sindikatat do të mbajnë një takim, në të cilin do të
vendoset përfundimisht për veprimet e mëtutjeshme.
Me këtë rast, Tasholli ka rikujtuar se vendimi për ngritjen e pagave
ishte mirëpritur nga të gjitha punonjësit e uniformuar. Por, nuk janë
vetëm policët ata që në llogaritë e tyre nuk i kanë marrë pagat me
rritje për muajin janar dhe shkurt. Mësimdhënësit madje kanë kërcënuar
se do të bojkotojnë procesin mësimor dhe nuk do t’iu japin dëftesat
nxënësve nëse qeveria nuk përmbush premtimin.
Pavarësisht premtimit të autoriteteve vendore, punëtorët e sektorit
publik nuk i morën me rritje retroaktive pagat për muajin janar dhe
shkurt të këtij viti. Ministri i Financave, Bedri Hamza, pati deklaruar
se pagat e janarit për punëtorët që paguhen nga buxheti i shtetit do të
jenë vetëm paradhënie, që do të plotësohen me rritje prej 30 deri në 50
për qind me rastin e miratimit të buxhetit.
Qeveria e Kosovës kishte premtuar se nga janari i vitit 2010 do të
ketë rritje pagash për të gjithë shërbyesit civilë të Kosovës.
/Telegrafi/