Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, kërkon nga sindikalistët e PTK-se që ta zbulojnë identitetin e personave që kanë thënë se ai ka zhvilluar takime të fshehta me kompanitë e parakualifikuara për privatizimin e kompanisë më profitabile dhe se paga e punëtorëve do të minimizohet në 250 euro.
Kështu thuhet në një letër zyrtare të Beqajt, dërguar drejtuesve të dy sindikatave të Postë-Telekomit të Kosovës. “Kërkoj zyrtarisht nga përfaqësuesit e sindikatave që të më informojnë dhe të paraqesin publikisht identitetin e personave, të cilët i kanë dhënë këto informata, meqenëse këto informata janë plotësisht të pavërteta dhe jozyrtare”, thuhet në letrën e Beqajt, dërguar sindikalistëve të PTK-së, më 19 maj 2011.
Më tej në letër Beqaj u kërkon sindikalistëve që këta të fundit ta argumentojnë deklaratën për mosgatishmërinë e tij për të organizuar takime me sindikatat e PTK-së, meqenëse, siç thotë Beqaj, në çdo moment ka shprehur interesim dhe gatishmëri të plotë për të diskutuar në mënyrë profesionale rreth të gjitha çështjeve që ndërlidhen me këtë proces të rëndësishëm për të gjithë qytetarët e vendit.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të zbuloni identitetin e personave nga të cilët keni marrë informatën rreth mbajtjes kinse të takimeve të fshehta dhe jozyrtare të kabinetit me kompanitë e parakualifikuara për privatizimin e PTK”, thuhet ndër të tjera në letrën e Beqajt.
Këshilltari i ministrit Besim Beqaj, Gëzim Baxhaku, thotë se kjo letër nuk paraqet kurrfarë kërcënimi pasi që, siç thotë ai, ministri ka dashur të informohet nga ata të cilët i kanë ngritur këto çështje e që janë thirrur në burime anonime.
Baxhaku bën të ditur se më 26 maj ministri Beqaj është takuar me përfaqësuesit e dy sindikatave të PTK-së, nga të cilët ka kërkuar sqarime për këto çështje. “Te çështja e pagave sindikalistët e PTK-së kanë thënë se u është përzier me pagën minimale që ka kërkuar BSPK prej 250 euro. Po ashtu këshilltarët e transaksionit e kanë kryer punën e vet në takimet me kompanitë e parakualifikuara”, ka thënë Baxhaku.
Sindikalistët e PTK-së, të cilët deri javë më parë kanë qenë shumë të zhurmshëm rreth procesit të privatizimit të kësaj kompanie, së fundi kanë filluar t’i zbusin fjalët.
Seremb Gjergji nga Sindikata Profesionale e Punëtorëve të PTK-së, letrën e Besim Beqajt drejtuar tyre nuk e sheh si kërcënim, por kërkesën e tij e arsyetohen me faktin se “njerëzit kanë të drejtë të pyesin gjithçka”. Ai thotë se të gjitha këto çështje i kanë sqaruar javën e kaluar në takimin e mbajtur me ministrin Besim Beqaj.
Sipas tij, në momentin që do të kenë informata të prekshme që ka pasur takime të fshehta me kompanitë e parakualifikuara, atëherë kjo sindikatë do t’i drejtohet prokurorisë së shtetit, me qëllim që të mbrohen të drejtat e punëtorëve.
Ndërsa Milazim Alshiqi nga Sindikata e PTK-së nuk ka dashur të flasë për letrën e Beqajt, me arsyetimin se ka qenë në një takim zyrtar dhe nuk e ka parë letrën. /Zëri/Telegrafi/