Shteti i Maqedonisë, i cili e ka njohur pavarësinë e plotë të Kosovës, vazhdon të veprojë me dy kute në aspektin e realizimit të të drejtave elementare të qytetarëve. Veprimet maqedonase, ndaj një pale me shtetësi kosovare, kanë lënë dyshime se po luhatet rreth integritetit të plotë territorial të Kosovës.
Prindërit e Memet Jakupit, 4-vjeç, i lindur në Kaçanik, por që nëna e tij është me shtetësi të Maqedonisë, kanë aplikuar për shtetësinë e dyfishtë të fëmijës së tyre, por në brendinë e certifikatës së shtetësisë figuron një e pavërtetë e madhe. Memetit të vogël ia ka njohur vendlindjen e tij Kaçanikun, por këtë komunë ia kanë “aneksuar” Serbisë, shkruan Zëri.
“Memet Jakupi, 11. 03. 2007... Kaçanik - Srbija”, pretendon Komuna e Sarajit (Maqedoni) në certifikatën tërësisht cirilike të lëshuar më 11.05.2011, duke iu referuar vendit, komunës dhe shtetit të lindjes së Memetit.
Prindërit e vogëlushit, i cili e ka trashëguar emrin e gjyshit të tij, një veprimtar kaçanikas i viteve ’90-të, nuk janë pajtuar me faktin në certifikatën e Memetit dhe në pasaportën e tij të Maqedonisë, Kaçaniku të figurojë në Serbi.
“Kam reaguar në zyrat e regjistrimit civil në Saraj, por ata janë arsyetuar se në kohën kur ka lindur djali, Kosova nuk ka qenë shtet”, ka theksuar Hamdije Jakupi-Asllani, e ëma e Memetit. Ajo dhe bashkëshorti i saj Shabani, duke iu referuar kësaj logjike, nuk besojnë se maqedonasit e lindur para shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, tani të njihen si “jugosllavë”, por si maqedonas.
“Njëherë më shkoi mendja t’ua lë certifikatën. E mora atë, por tani jam penduar. Ndoshta do të ishte më mirë të mos e merrja pa e përmirësuar nënshtetësinë”, tregon dilemat e saj Hamdija.
Ndërkaq, Shabani thotë se përveç se nuk dëshiron të figurojë ashtu, shpreh shqetësimin se në të ardhmen mund të ketë telashe rreth saktësisë së shtetësisë së fëmijës. Lidhur me këtë, autoritetet e këtushme komunale kanë preferuar që kjo palë të bëjë ankesë në komunën, e cila e ka lëshuar këtë certifikatë.
“Kjo familje duhet të bëjë ankesë në organet kompetente maqedonase, në mënyrë që të përmirësohet prejardhja shtetërore e Memetit”, ka insistuar Heset Loku, nënkryetar i Komunës së Kaçanikut dhe njohës i mirë i çështjeve juridike. Ai thotë se Kosova tani është shtet dhe çdo dokument që lëshohet, pavarësisht nga dita e njohjes së pavarësisë së saj, duhet të jetë me Republika e Kosovës dhe assesi ndryshe.
Nënkryetari Loku nuk përjashton mundësinë që kjo e drejtë të kërkohet edhe në instanca ndërkombëtare të drejtësisë. /Telegrafi/