Mosdeklarimi i pasurisë në Agjencinë kundër Korrupsionit u ka nxjerrë “telashe” disa zyrtarëve të lartë shtetërorë, të cilët kishin refuzuar ta bënin publike pasurinë e tyre gjatë vitit të kaluar. Më shumë se dhjetë zyrtarë të lartë janë ndëshkuar nga gjykatat komunale të vendit për shkak se kanë bërë kundërvajtje pasi që nuk e kanë respektuar Ligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe dhuratave të zyrtarëve të lartë publikë. Ndëshkimet e shqiptuara nga Gjykata janë në mjete materiale shuma e të cilave nis prej 300-1000 euro.
Vendimet për veprën e kundërvajtjes që kanë bërë zyrtarët e lartë janë publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë kundër Korrupsionit. Aty shihet se nga ndëshkimi me gjoba nuk janë kursyer as zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Janë dy zyrtaret e larta të këtij institucioni, Miradije Mavriqi, drejtoreshë e Zyrës për Regjistrim të Partive Politike dhe Miradije Meha, kryesuese e Departamentit të Administratës dhe Përkrahjes në KQZ që kanë marrë dënime nga Gjykata Komunale për Kundërvajtje e Prishtinës.
Mavriqi është gjobitur me një mijë euro si masë ndëshkuese për mosdeklarim të pasurisë. Në vendimin e Gjykatës Komunale të marrë më 3 mars të këtij viti thuhet se nëse “gjobën e shqiptuar nuk e paguan në afatin e dhënë prej 15 ditësh nga marrja e vendimit ajo do t’i zëvendësohet me dënim burgu në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Po me të njëjtën shumë prej një mijë eurosh është gjobitur edhe Milazim Vllasaliu, zyrtar i lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Konsullatën e Kosovës në Berlin. Kurse me nga 300 euro për mosdeklarim të pasurisë janë ndëshkuar sekretarja e parë në Ambasadën e Kosovës në Berlin, Fatmire Musliu, zyrtarja e KQZ-së, Miradije Meha, Hysni Veseli, kryeshef ekzekutiv në Ministrinë e Administratës Publike, zv.kryesuesi i Asamblesë Komunale të KK të Prishtinës, Engin Beyoglu, kryesuesi i Asamblesë Komunale të KK të Suharekës, Vesel Maliqaj, nënkryetari i Kuvendit Komunal të Suharekës, Bali Muharremi, si dhe drejtori i Agjencinë së Akreditimit të Kosovës, Basri Muja.
Po me nga 300 euro Gjykata për Kundërvajtje e Prishtinës e ka dënuar edhe ish-zëvendësministren e Ministrinë së Energjisë dhe Minierave, Emilija Redjepi, si dhe zyrtarin e lartë Bislim Hoti.
Më shumë lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”