Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar sot marrëveshjen e
arritur me organizatën më kredibile në botë në luftë kundër
korrupsionit, “Transparency International”, për lancimin në vendin tonë
të “Transparency International Kosova”, si dhe ka promovuar një
pilotprojekt që ka të bëjë me monitorimin shtypit ditor rreth raportimit
për korrupsionit.
Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, në
konferencë për media, ka thënë se kjo marrëveshje tregon për angazhimin e
KDI-së në luftën kundër korrupsionit dhe besimin që ka krijuar në
partnerët ndërkombëtar.
“Në luftën kundër korrupsionit nuk duhet të
ketë konkurrentë, por partneritet mes të gjithë atyre që japin
kontribut në luftë kundërkorrupsionit”, ka thënë Kryeziu.
Në këtë
konferencë, KDI ka njoftuar po ashtu se së shpejti do të publikohet edhe
Raporti i “NIS”-it (Integriteti i Sistemit Kombëtar) që ka për qëllim
të bëjë studimin e 14 shtyllave të shtetit që kanë rol në luftën kundër
korrupsionit.
Kryeziu ka prezantuar edhe fillimin e implementimit të
Projektit “Avokimi për kompletimin e pakos së ligjeve antikorrupsion në
Kosovë” të mbështetur nga Ambasada britanike.
“Ligjet të cilat do
të jenë objektiv i avokimit tonë janë: Ligji kundër krimit të organizuar
dhe Ligji për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.
Avokimi për këto dy ligje do të ketë aktivitete me aktorët jo vetëm
vendorë, por edhe me ata ndërkombëtarë, me qëllim që legjislacioni në
luftën kudër-korrupsionit, të jetë në përputhje me standardet
ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Të premten po ashtu është promovuar
edhe një pilotprojekt që ka të bëjë me monitorimin shtypit ditor rreth
raportimit për korrupsionit, që flet për numrin e raporteve të mediave
për korrupsionin, si dhe reflektimin e institucioneve karshi shkrimeve.
Besnik
Ramadanaj, nga KDI, ka thënë se një nga instrumentet e luftimit të
korrupsionit padyshim se është edhe media dhe roli i saj nëpërmjet
hulumtimeve dhe raportimeve të rasteve të korrupsionit.
“Një
element i rëndësishëm që e pengon zhvillimin e gazetarisë hulumtuese
është edhe pengesa që u krijohet gazetarëve në qasjen në dokumentet
zyrtare. Media të ndryshme dhe asociacione të mediave kanë raportuar
shpesh për këto raste”, ka thënë Ramadanaj. Në bazë të monitorimit të
gazetave sa i përket artikujve për korrupsionin ka dalë se institucionet
më të korruptuara janë ato qendrore, përkatësisht Qeveria e Kosovës me
pesë artikuj, me po të njëjtin numër të rasteve të raportuara janë edhe
zyrtarët shtetërorë që përfshijnë deputetët, zyrtarë të lartë publik,
etj dhe në vendin e tretë janë komunat me katër artikuj.
Në kuadër
të këtij raporti janë nxjerrë edhe disa rekomandime, si: nxitja dhe
rritja e numrit të shkrimeve hulumtuese për korrupsionin, reagimi
institucional, prioritetizimi i artikujve për korrupsionin, si dhe
përsëritja e shkrimeve për temat e botuar një herë, ri-aktualizimi i
atyre temave.