Betejën e multimilionerëve ndërmjet zyrtarëve të lartë shtetërorë këtë
vit e ka fituar me vështirësi zv.kryeministri Behxhet Pacolli, shkruan
sot “Koha Ditore”.
Deklarimi i pasurisë për vitin 2011, e ka
vendosur shumë afër tij për nga milionat deputetin nga radhët e Aleancës
për Ardhmërinë e Kosovës, Ramiz Kelmendi. Deputeti Kelmendi, si pronar i
rrjetit të supermarketeve “Elkos Group”, ka pasuri të paluajtshme në
vlerë rreth 40 milionë euro. Mbi 30 milionë euro ka deklaruar pasuri të
luajtshme, mbi 3 milionë euro në banka të ndryshme të vendit dhe rreth
24 milionë euro detyrime bankare-kredi. Ka rreth 10 milionë euro fitim
në vit nga paga si deputet, nga paga në ELKOS dhe nga fitimi neto i së
njëjtës kompani. “Pak” më shumë se Kelmendi pasuri ka zv. kryeministri
Pacolli. Ky i fundit ka pasuri të paluajtshme 60 milionë e 250 mijë
euro, pasuri të luajtshme ka deklaruar 280 mijë euro, 37 milionë euro
aksione nga kompanitë e tij, 40 mijë euro të holla kesh nëpër banka, si
dhe 550 mijë euro të hyra vjetore. Më “ligsht” për nga buxheti qëndrojnë
prijësit e tjerë të institucioneve të vendit. Kryeministri i vendit,
Hashim Thaçi, ka deklaruar pasuri të paluajtshme të përbashkët në shumë
prej 1 milion e 400 mijë eurosh, pasuri të luajtshme Thaçi ka paraqitur
13 mijë euro. Kurse para të gatshme ka thënë se ka 100 mijë euro në
institucione bankare e të njëjtën shumë e ka deklaruar se e ka kredi.
Prijësi i ekzekutivit, sipas deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër
Korrupsionit ka të hyra vjetore më pak se bashkëshortja e tij, e cila të
hyrat vjetore nga paga e saj i ka 18 mijë euro, kurse kryeministri nga
Qeveria të hyrat vjetore i ka deklaruar 17.318 euro. Për nga pasuria keq
nuk qëndron as kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Në
deklarimin e pasurisë në AKK, Krasniqi ka deklaruar se pasuria e tij e
paluajtshme e përbashkët është 400 mijë euro. Pasuri të luajtshme sipas
raportit nuk ka, por ka të holla të gatshme në shumë prej 8.200 eurosh
të tijat, si dhe 20 mijë euro të bashkëshortes. Të hyra vjetore e ka
deklaruar pagën mujore në vlerë prej 2.700 eurosh dhe të bashkëshortes
640 euro.
Më e varfër del të jetë presidentja e vendit, Atifete
Jahjaga. Ajo ka deklaruar se nuk ka pasuri të paluajtshme, kurse si
pasuri të luajtshme ka paraqitur veturën “Golf” në vlerë prej 6 mijë
eurosh.
Para të gatshme në institucione bankare ka thënë se ka
rreth tetë mijë euro. Ndërsa të hyrat vjetore nga paga si presidente i
ka llogaritur rreth 35 mijë euro, ndërsa të hyrat e bashkëshortit nga
paga e tij vjetore në QKUK i ka deklaruar rreth 7 mijë euro.
Keshi i kryediplomatit
Për nga pasuria nuk janë keq as
ministrat e kabinetit të kryeministrit Thaçi. Ministri i MASHT-it, Ramë
Buja, ka deklaruar se ka afro 250 mijë euro pasuri të paluajtshme, të
cilën e ka prezantuar si të përbashkët. Si pasuri të luajtshme e ka
deklaruar veturën e blerë me kredi në vlerë prej 21 mijë eurosh.
Ministri Buja ka thënë se nuk ka para të gatshme në bankë në të cilën
ka kredi 43 mijë euro.
Me pasuri të paluajtshme të përbashkët
është paraqitur edhe ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku. Kjo e fundit
ka deklaruar se ka
140 mijë euro pasuri të paluajtshme të
përbashkët. Pasuri të luajtshme e ka prezantuar veturën në vlerë prej
6.500 eurosh. Çitaku ka thënë se ka para të gatshme 5 mijë euro, kurse
të hyra vjetore ka deklaruar pagën e saj mujore si ministre që është
1.270 euro.
Edhe ministri i MPMS-së, Nenad Rashiq, nuk është keq
për nga pasuria. Rashiq ka deklaruar se ka rreth 740 mijë euro pasuri
të paluajtshme, të cilën edhe ai e ka paraqitur si të përbashkët. Pasuri
të luajtshme e ka deklaruar veturën e bashkëshortes në vlerë prej 6
mijë eurosh. Ministri Rashiq ka të hyra 14 mijë euro nga aksionet në një
kompani private, kurse para të gatshme i ka prezantuar 40 mijë euro,
kurse ka deklaruar se ka një kredi në vlerë prej 13 mijë eurosh. Të
hyrat vjetore të tij nga paga e deputetit dhe nga paga prej një biznesi
privat arrijnë rreth 17 mijë euro, si dhe rreth 9 mijë euro të hyrat
vjetore nga paga e bashkëshortes së tij. Me goxha pasuri të paluajtshme
ka dalë të jetë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj. Ai ka
deklaruar se ka 240 mijë euro pasuri të paluajtshme, të cilën edhe ky
ministër e ka deklaruar si familjare. Kurse pasuri të luajtshme e ka
deklaruar veturën “Audi A6” në vlerë prej 10 mijë eurosh. Ministri
Hoxhaj ka deklaruar se i ka të gatshme 41 mijë euro. Të hyrat vjetore
nga paga primare si ministër i ka deklaruar 15.240 euro, ndërsa nga ajo
sekondare si profesor në UP i ka 6.160 euro. Si të hyra vjetore ministri
Hoxhaj i ka deklaruar edhe 7.680 euro nga pagat e bashkëshortes së tij
që është profesoreshë në UP.
Pasuri ka edhe ministri i
Administratës Publike, Mahir Yagcilar. Në AKK ai ka deklaruar se ka
pasuri të paluajtshme rreth 160 mijë euro, para të gatshme afro 56 mijë
euro. Ministri Yagcilar të hyra vjetore ka deklaruar pagën mujore si
deputet 1.478 euro, si ministër 571 euro, si dhe shtesat e deputetit 325
euro. Si të hyra vjetore e ka paraqitur edhe pagën mujore të
bashkëshortes në vlerë prej 706 eurosh.
Ministri Çeku me tri vetura e pension nga ish-TMK-ja
Deklarimin
financiar e ka bërë edhe ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci.
Pasuria e tij e paluajtshme është rreth 150 mijë euro. Pasuri të
luajtshme ka deklaruar dy vetura, të tijën dhe të bashkëshortes, që
kapin shumën 33 mijë euro. Para të gatshme i ka 8 mijë euro, ndërsa ka
40 mijë euro kredi. Ndërsa të hyra vjetore e ka deklaruar pagën mujore
1.108 euro dhe honorarin nga kolegji “Iliria” në shumë prej 500 eurosh,
si dhe pagën mujore të bashkëshortes së tij në vlerë prej 1.086 euro. Me
goxha pasuri ka dalë të jetë edhe ministri i Ministrisë së FSK-së, Agim
Çeku. Si pasuri të paluajtshme Çeku ka paraqitur tokë bujqësore, shtëpi
dhe një banesë, vlera e të cilave është rreth 500 mijë euro. Kurse
pasuri të luajtshme ka deklaruar tri vetura në vlerë prej 20 mijë
eurosh. Ndërkaq të hyra nga aksionet në shoqëri aksionare ka deklaruar
5.200 euro nga Hërvatski Telekom. Ministri Çeku ka deklaruar para të
gatshme 2.500 euro dhe ka treguar se ka kredi në bankat kroate në shumë
prej 17.500 eurosh. Tek të hyrat vjetore ministri Çeku e ka deklaruar
pagën mujore si ministër në vlerë prej 1.350 eurosh, pensionin nga
ish-TMK-ja 347 euro, si dhe pensionin ushtarak nga Ministria e Mbrojtjes
së Kroacisë në vlerë 1.300 eurosh. Me pasuri të majme ka dalë të jetë
edhe ministri i MMPH-së, Dardan Gashi, i cili në formularin e pasurisë
ka deklaruar se punën si ministër e ka filluar që nga viti 1900.
Gashi
ka thënë se ka pasuri të paluajtshme si të përbashkët rreth një milion
euro, ndërkaq pasuri të luajtshme e ka deklaruar veturën në vlerë prej 7
mijë eurosh. Gashi ka deklaruar se ka para të gatshme rreth 34 mijë
eurosh, ndërsa ka një kredi në vlerë prej 162 mijë eurosh për 20 vjet.
Të hyra vjetore ka deklaruar 30 mijë euro nga një shtëpi botuese në
Vjenë, pagën vjetore nga Qeveria e Kosovës 15.240 euro si dhe pagën
vjetore të bashkëshortes 75 mijë euro.
Me pasuri të paluajtshme
që kap shumën rreth 400 mijë euro është deklaruar edhe ministri i
Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Ai ka raportuar se ka rreth 400
mijë euro pasuri të paluajtshme, të cilën e ka deklaruar si të
përbashkët. Rexhepi ka deklaruar se nuk ka pasuri të luajtshme e as para
të gatshme. Kurse të hyra vjetore ka deklaruar pagën mujore si ministër
që e ka 1.200 euro dhe pagën mujore të bashkëshortes që i punon në PTK e
që pagë mujore i merr 850 euro.
Honorarët e ministrave jashtë Qeverisë
Me
pasuri hiç më keq nuk është as ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani. Ky
i fundit ka deklaruar si pasuri të paluajtshme dy banesa dhe një truall
që kapin shumën rreth 240 mijë euro, kurse pasuri të paluajtshme ka
deklaruar një veturë në vlerë 15 mijë euro, inventar në ambulancë 10
mijë euro, orendi shtëpiake 10 mijë euro, si dhe stoli ari tri mijë
euro. Ndërsa ka rreth 3 mijë euro para të gatshme nëpër banka të
ndryshme dhe i ka 16 mijë euro kredi. Të hyra vjetore ministri ka
deklaruar 29 mijë euro nga puna profesionale prej studio Agani, pagën
vjetore të bashkëshortes në vlerë prej 3.500 euro si specialiste në
QKUK, e cila njëkohësisht ka edhe një pagë si asistente në Fakultet të
Mjekësisë si dhe 12 mijë euro të hyra vjetore nga paga e vajzës së tij
si asistente në një universitet në SHBA. Deklarimin e pasurisë në
mënyrë të pjesshme e ka bërë ministri i Ministrisë së Kthimit dhe
Komuniteteve Radoica Tomiq. Ai e ka deklaruar një shtëpi familjare 350
metra katrorë së cilës nuk ia ka dhënë vlerën. Pasuri të luajtshme e ka
deklaruar një veturë në vlerë prej 10 mijë eurosh, por nuk ka treguar
burimin e këtyre mjeteve. Ministri Tomiq ka thënë se nuk ka para të
gatshme në bankë. Ky ministër nuk i ka deklaruar as të hyrat vjetore.
Ndërsa pasuria e paluajtshme e zv. kryeministrit Bujar Bukoshi është
rreth 710 mijë euro ku ka përfshirë shtëpinë ambulancë tokë, vresht,
tokë, banesë. Pasuri të luajtshme, Bukoshi ka deklaruar veturën e
bashkëshortes në vlerë prej 1 mijë eurosh, si dhe 6.500 euro para të
gatshme. Të hyra vjetore ka deklaruar të ardhurat vjetore nga QKUK,
ndërsa të hyrat vjetore nga Qeveria i ka deklaruar 15 mijë euro si dhe
qiranë nga ambulanca në shumë prej 6 mijë euro. Ndërkaq zv.kryeministri
Hajredin Kuçi njëherësh ministër i Drejtësisë ka deklaruar se i ka 8
mijë euro para të mbajtura në bankë. Të hyra vjetore i ka deklaruar
pagën mujore si ministër në shumë prej 1.183 euro, honorarin nga
Universiteti i Prishtinës, 438 euro dhe qiranë nga një banesë në shumë
prej 500 eurosh dhe pagën e bashkëshortes në shumë prej 435 eurosh që e
merr nga UP-ja. Kuçi ka deklaruar se si pasuri të paluajtshme ka një
shtëpi prej 250 metrash katrorë në vlerë prej 200 mijë eurosh si dhe një
shtëpi e tokë të përbashkët që ka të njëjtën vlerë. Ministri i
Drejtësisë ka deklaruar edhe një veturë të tipit “Mercedes” në vlerë
prej 10 mijë eurosh. Ndërsa zv.kryeministrja Edita Tahiri ka një “Opel
Astra” në vlerë prej 16 mijë eurosh si dhe ka 20 mijë euro para kesh në
bankë. Tahiri ka rreth tetë mijë euro kredi për studime e blerje të
veturës, ndërsa të hyrat vjetore nga Qeveria i ka mbi 16 mijë euro. Si
pasuri të paluajtshme Tahiri ka deklaruar një shtëpi prej 500 mijë
eurosh, e cila sipas saj është pasuri e përbashkët. Më i varfër për nga
deklarimi del të jetë ministri i Infrastrukturës Fehmi Mujota. Si
patundshmëri ka deklaruar një banesë prej 86 metrash katrorë të blerë në
vitin 2010 me një çmim prej 74 mijë e 600 euro. Ai merr rreth 15 mijë
euro pagë vjetore nga Qeveria, ndërsa gruaja e tij që punon në
Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale merr 3 mijë e 141 euro.
Kryefinancieri Bedri Hamza në anën tjetër ka rreth 30 mijë euro kesh si
dhe ka një “Mercedes” në vlerë prej 13 mijë eurosh. Gruaja e tij ka një
“Golf-4” në vlerë prej 6 mijë e 500 eurosh, ndërsa merr një pagë vjetore
prej 2 mijë e 800 eurosh në Shtëpinë e Shëndetit në Mitrovicë. Ministri
i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ka deklaruar se brenda një viti nga
të ardhurat i merr mbi 36 mijë euro: nga paga në Qeveri, Universiteti i
Prishtinës si dhe kolegji “Cambridge”. Mbi 27 mijë euro i ka të
“paluara”, në bankë, ndërsa ka një “Mercedes” në vlerë prej 50 mijë
eurosh si dhe një veturë tjetër së cilës nuk ia ka deklaruar llojin e që
ka vlerë 12 mijë e 500 euro. Jashtë Qeverisë si ministri Beqaj merr
edhe Mimoza Kusari-Lila që drejton Ministrinë për Tregti e Industri.
Përveç pagës prej mbi 13 mijë euro që merr nga Qeveria përfiton edhe mbi
6 mijë euro të tjera nga konsulencat e ndryshme. Kusari ka deklaruar se
si pasuri të paluajtshme posedon një banesë të blerë në vitin 2008 me
çmim prej 200 mijë eurosh.
Pagat e majme të drejtuesve të ndërmarrjeve publike
Kryetari
i Bordit të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj, është treguar më i fuqishmi për
nga pasuria prej zyrtarëve të lartë të ndërmarrjeve publike. Ai ka
shënuar se në Pro Credit Bank ka 8, 763, 141.00 euro. Në formularin e
deklarimit të pasurisë ka shënuar se paga e tij në PTK kap shifrën 175,
582.00 euro, ndërsa si mëditje nga kjo korporatë merr 111, 588.00 euro.
Gjonbalaj ka deklaruar tokë të trashëguar në vlerë prej 200 mijë eurosh
si dhe oborr shtëpie në vlerë prej 40 mijë eurosh si dhe një shtëpi me
dy lokale prej 300 metrash katrorë në vlerë prej 150 mijë eurosh. Po
ashtu ka shënuar se posedon një veturë të tipit “Toyota Camry” 2003 në
vlerë prej 8 mijë eurosh. Gjonbalaj posedon aksione prej 10 për qind në
kompaninë “RAR” vlera në euro e të cilit është 90 mijë eurosh. Kryeshefi
ekzekutiv i PTK-së Shyqyri Haxha ka shënuar se përveç punës në këtë
korporatë mban pozitën edhe të anëtarit të Bordit në Odën Ekonomike
Britanike në Prishtinë. Po ashtu Haxha ka deklaruar se prej 1 mars 2011
punon si ligjërues, part time sipas tij, në Universitetin e KENT-it. Të
ardhurat nga ky universitet Haxha nuk i ka publikuar. Ndërkaq ka shënuar
se nga PTK-ja merr 4 mijë e 454 euro pagë në muaj. Si para të gatshme
ka shënuar se mban 50 mijë euro në një bankë në Britaninë e Madhe,
ndërsa në TEB Bank ka 5 mijë euro të gatshme. Ndërsa kryetari i Bordit
të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Bekim Jashari, ka deklaruar se
merr si pagë vjetore në këtë ndërmarrje 13 mijë e 707 euro. Ai ka
deklaruar se para të gatshme në Raiffeisen Bank i ka 28 mijë euro,
ndërkaq në Pro Credit ka 203 mijë euro. Ndërkaq Agron Mustafa që kishte
pozitën e drejtorit të përgjithshëm në ANP ka marrë 57 mijë euro në vit
të cilat i ka deklaruar si të ardhura nga paga dhe shtesat tjera nga kjo
ndërmarrje. Ndërsa gruaja e tij i merr 16 mijë e 100 euro pagë vjetore
në Postë-Telekomin e Kosovës. Mbi 120 mijë euro Mustafa i ka para të
gatshme të mbajtura në bankë. Më pak se ai para kesh ka drejtori i
përgjithshëm i KEK-ut, Arben Gjukaj. Sipas shënimeve të tij diku rreth
45 mijë euro i mban në NLB Prishtina, ndërsa në Raiffeisen Bank i ka 15
mijë e 268 euro. Kurse paga vjetore e tij është 33 mijë euro. Për nga
rroga Adrian Zalli ende mbetet i fuqishëm. Paga e tij në Trustin e
Kursimeve Pensionale është 57 mijë e 883 euro në vit, ndërsa para të
gatshme në bankë i ka mbi 70 mijë euro. Diku mbi 10 mijë euro më pak se
ai merr Gani Gërguri, guvernatori i Bankës Qendrore, i cili pasurinë e
ka deklaruar gjatë kohës sa ishte zv.guvernator. Ai ka shënuar se merr
një pagë prej mbi 46 mijë eurosh. Ndërsa afro 70 mijë euro Gërguri i ka
para të gatshme të mbajtura në bankë. Kryedoganieri Naim Huruglica merr
katërfish më pak se Zalli e Gërguri. Paga e tij kap një shifër prej 12
mijë e 22 eurosh në vit. Huruglica ka shënuar se si pasuri të patundshme
ka një shtëpi të përbashkët prej 300 metrash katrorë, të cilën e ka
blerë në vitin 2010 me një çmim prej 100 mijë eurosh. Drejtori i
Administratës Tatimore, Behxhet Haliti, në anën tjetër ka edhe para të
investuara në vlerë në Graz dhe në Vjenë të Austrisë. Vlera e letrës në
Graz sipas Halitit është 6 mijë e 247 euro, ndërsa në Vjenë është 11
mijë e 833 euro. Haliti merr një pagë vjetore prej 13 mijë e 420 eurosh.
Drejtori i Agjencisë së Privatizimit, Shkëlzen Lluka, merr pagë vjetore
prej 45 mijë e 492 eurosh, ndërsa në vitin 2008 ka blerë një veturë të
tipit “Golf- 5” në vlerë prej 10 mijë eurosh. Kurse kryetari i Bordit
të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, Ekrem Hoxha, ka
deklaruar se merr 1 mijë e 390 euro në muaj si pagë nga ART-ja, ndërsa
150 euro tjera i merr si mëditje. Në vitin 2008 ka blerë një veturë të
tipit “Passat 1.9” në vlerë prej 7 mijë e 500 eurosh, ndërsa gruaja e
tij ka në pronësi një veturë “Citroen C4” të blerë në vitin 2009 me një
çmim prej mbi 11 mijë eurosh. Gruaja e tij sipas këtij deklarimi të
pasurisë merr një pagë prej 400 eurosh në muaj. Në anën tjetër Hoxha ka
deklaruar se mban si para të gatshme në bankë një shumë prej 40 mijë
eurosh.