Presidenti amerikan Barack Obama tha se revolucionet arabe në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore flasin për “dëshirën e madhe për liri”, që është ndërtuar me vite dhe që çoi në rënien e tiranëve.
Në një fjalim gjithëpërfshirës për Lindjen e Mesme, Obama tha se kryengritjet në rajon tregojnë se represioni nuk do të funksionojë më.
“Për gjashtë muaj, ishim dëshmitarë të ndryshimeve të jashtëzakonshme që ndodhën në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore. Shesh pas sheshi, qytet pas qyteti, shtet pas shteti, njerëzit u ngritën që të kërkojnë të drejtat e tyre bazike”, tha Obama.
Ai theksoi se SHBA-ja i mbështet këto thirrje për ndryshime dhe tha se SHBA-ja kundërshton përdorimin e dhunës kundër njerëzve në rajon dhe mbështet të drejtat e tyre universale.
Obama tha se protestuesit pro demokracisë arritën për gjashtë muaj, atë që terroristët nuk mundën ta arrijnë për dekada.
Presidenti Obama po ashtu tha se Osama bin Laden - lideri i Al Kaidës, i cili u vra nga forcat speciale amerikane në fillim të këtij muaji, nuk ishte martir, por një “vrasës i madh”.
“Bin Laden nuk ishte martir, por një vrasës i madh që ofroi mesazhin e urrejtjes, insistoi që myslimanët të kapin armët kundër Perëndimit dhe se dhuna kundër burrave, grave e fëmijëve ishte rruga e vetme e ndryshimit. Ai refuzoi demokracinë dhe të drejtat individuale për myslimanët në favor të ekstremizmit të dhunshëm. Agjenda e tij fokusohej në atë se çka mund të shkatërronte, jo çka mund të ndërtonte”, tha Obama, duke shtuar se agjenda e ekstremizmit të Al Kaidës në botën arabe tashmë shihet si e vdekur. Presidenti tha se lideri i Sirisë, Bashar al-Assad, ka zgjedhur rrugën e vrasjes dhe paralajmëroi atë që ta ndryshojë kursin, ose ta lërë pushtetin. Ai u bëri thirrje izraelitëve dhe palestinezëve që të kuptojnë se “paqja nuk mund të imponohet”.
Obama tha se procesi i paqes duhet të rezultojë me dy shtete me “kufij të përhershëm palestinezë me Izraelin, Jordaninë dhe Egjiptin si dhe kufij të përhershëm izraelitë me Palestinën. Kufijtë mes Izraelit dhe Palestinës, sipas tij, duhet të bazohen në marrëveshjen e vitit 1967.
Presidenti Obama premtoi ndihmë ekonomike për shtetet që përqafojnë reformat demokratike.
Ai nënvizoi se SHBA-ja do t’i lehtësojë borxhet Egjiptit dhe se Uashingtoni së shpejti do të lansojë një fond prej 2 miliardë dollarësh për mbështetjen e investimeve private përgjatë rajonit.
Obama, po ashtu, ritheksoi një plan për të riorientuar Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim që të mbështesë rajonin e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës Veriore, ashtu siç i ka ndihmuar ish-shtetet komuniste në Evropën Qendrore dhe Lindore