Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso të premten në Prishtinë shprehu mbështetje për perspektivën evropiane të Kosovës, ndërkaq porositi zyrtarë vendor që të vazhdohet me reforma të thella dhe të shpejta.
Pas takimit me kryeministrin e vendit, Barroso nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve mirëpo tha se qëllimi i vizitës është të shprehet angazhimi i fuqishëm i tyre për perspektivën evropiane të Kosovës. Ai tha se Komisioni Evropian do të vazhdojë të mbështesë Kosovën me ndihmë substanciale financiare.
Mirëpo, sipas tij, që Kosova të jetë pjesë e BE-së duhet të ndërmarrë reforma të thella dhe t’i përmbush standardet që kërkohen nga Bashkimi Evropian. Barroso po ashtu shprehur qëndrimin se Kosova duhet t’i respektojë marrëveshjet e nënshkruara me FMN.
Presidenti i institucionit të BE-së që merret me përmbushjen e kritereve si për procesin e liberalizimit, ashtu edhe për procesin e integrimit porositi Qeverinë e Kosovës që të angazhohet për përmirësimin e jetës që qytetarëve të saj dhe zbatimin e kritereve që kërkohen nga BE-ja.
Sipas tij është në interesin e qytetarëve të Kosovës të vazhdohet me reforma, ndërsa pohoi se Komisioni Evropian do të vazhdojë të fuqizoj marrëdhëniet me institucionet e Kosovës.
Ai shprehu qëndrimin se e ardhmja e Kosovës varet nga vet populli i saj, ndërsa Komisioni Evropian ndodhet këtu për të ofruar ndihmë. Barroso shprehu besimin se Kosova do të tregoj lidership të denjë për t’i arritur synimet.
Ndërkaq, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi shprehu zotimin e Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e kritereve të Bashkimit Evropian.
Ai tha se vizioni i shtetit të Kosovës është integrimi evropian, ndërsa vlerësoi se Kosova me të drejtë kërkon dhe meriton të jetë pjesë e procesit integrues.
Kreu i ekzekutivit kosovar tha se presin avancimin e këtij procesi, marrjen e Udhërrëfyesit etj.
Thaçi premtoi se do të vazhdojnë me qeverisjen e mirë, luftën e pakompromis të dukurive negative etj. Ai vlerësoi po ashtu se do të vazhdohet me bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me shtetet fqinje si dhe shprehu besimi në rezultate konkrete nga bisedimet me Serbinë. /Telegrafi/