Në rast të ndarjes së Kosovës, komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë do të kërkojnë t’i bashkohen Kosovës, ka tërhequr vërejtjen kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa. I vetmi opsion janë negociatat, meqë duhet të gjendet formula në mënyrë që të gjithë të jenë të kënaqur, citon agjencia Beta Ragmi Mustafën.
Në rast të ndarjes së Kosovës, Serbia duhet të jetë e gatshme karshi kërkesës së komunave Preshevë, Bujanoc e Medvegjë që t’i bashkohen Kosovës, konsideron kryetari i Preshevës.
“Kreu shtetëror i Serbisë thirret në pragmatizëm kur propozon ndarjen e Kosovës, por nëse dëshiron që të jetë qind për qind pragmatike duhet të mendojnë edhe për ndarjen e Serbisë, meqë kërkesa e qytetarëve nga Presheva, Bujanoci e Medvegja, në këtë rast do të jetë bashkimi automatik me Kosovën”, është shprehur Mustafa për agjencinë Beta.
Mustafa, lider i Partisë Demokratike shqiptare tha se kërkesa për bashkimin e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës me Kosovën, po ndodhi ndarja e kësaj të fundit, është shtruar qysh në janar të vitit 2006 me platformën që e kanë miratuar të gjithë këshilltarët shqiptarë të këtyre tri komunave mbledhjen e përbashkët të tyre.
Kërkesa për bashkimin e këtyre tri komunave me Kosovën nuk vetëkupton automatikisht edhe përfshirjen e pjesëve të atyre komunave në të cilat jetojnë serbët, ka thënë Mustafa, dhe ka shtuar se për këtë do të duhej të bisedohej kur kjo temë të vjen në rend të ditës. Ai ka thënë se “duhet respektuar vullneti i popullsisë shumica dhe të gjenden zgjidhje që janë të mira për të gjithë”.
Kryetari i Komunës së Preshevës ka thënë se tash për tash nuk e di mendimin e Qeverisë së Serbisë për shkëmbimin e territoreve dhe se kjo nuk do të thotë se në bisedimet e ardhshme ndërmjet Beogradit e Prishtinës nuk mund të shtrohet çështja e ndarjes së territoreve si një zgjidhje e përhershme e problemit ndërmjet shqiptarëve e serbëve.
“Po pati bisedime për ndarjen e Kosovës, shqiptarët nga Presheva, Bujanoci e Medvegja me siguri do të kërkojnë të përfshihen në negociata, meqë duhet të gjendet formula në mënyrë që të gjithë të jenë të kënaqur”, është shprehur Mustafa.
Sipas fjalëve të tij, hapja e temës së bashkimit të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës me Kosovën, nuk shkakton destabilitet sigurie në rajon, meqë “përsëritja e konflikteve të armatosura nuk vjen në konsiderim”.
“Konfliktet e armatosura që kanë ndodhur në të kaluarën e afërt kanë lënë gjurmë në të gjithë njerëzit. Që të gjithë janë të ndërgjegjshëm për ato tmerre dhe askush nuk dëshiron që të përsëritën. I vetmi opsion janë negociatat dhe asgjë tjetër. Në konsiderim vjen vetëm zgjidhja paqësore, pavarësisht sa do të zgjasë dialogu, por është më mirë që zgjidhja të vijë sa më parë”, citon Beta të ketë thënë Ragmi Mustafa.