-Me angazhimin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës
së Kosovës, Memli Krasniqi, xhudistja e mirënjohur kosovare, Majlinda
Kelmendi, do të vazhdojë ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në çdo garë
ndërkombëtare në sportin e xhudos. Ministri Krasniqi takoi sot
xhudisten kosovare bashkë me trajnerin e saj Driton Kuka. Nga ky takim u
konfirmua edhe zyrtarisht se Majlinda nuk e ka pranuar ofertën nga
shteti i Azerbejxhanit, për të garuar nën flamurin e tij, por falë
angazhimit të ministrit Krasniqi, institucioneve shtetërore, dhe
sektorit privat është arritur që të sigurohen të gjitha kushtet që
Majlinda të garojë me flamurin e Kosovës në të gjitha garat
ndërkombëtare.
“Ju e dini që është folur shumë për kohë të caktuar
për qëndrimin ose shkuarjen e Majlindës. Unë edhe në takimet që kemi
pasur më herët, ju kam thënë që Majlinda qëndron në Kosovë sepse ky ka
qenë edhe vullnet i imi edhe vullnet i Majlindës, vullneti i të gjithëve
dhe personalisht jam angazhuar që nga dita ime e parë si ministër, për
të gjetur mirëkuptim, jo vetëm nga institucionet shtetërore por edhe nga
sektori privat për të krijuar mundësi më të mira edhe për kompensim
financiar të Majlindës, trajnerit të saj, një kompensim meritor, për të
krijuar mundësi më të mira për gara dhe suksese”, tha ministri gjatë një
prononcimi dhënë para medieve pas takimit. Ai shprehi bindjen e tij se
sukseset e mëdha të Majlindës nuk do të mungojnë as në të ardhmen.
Ministri shtoi se mbështetje edhe më të madhe do të ketë edhe në
përgjithësi për Federatën e Xhudos. Ai shtoi se po bëhen përpjekje të
vazhdueshme që të ketë kushte shumë më të mira për çdo sportist.
Majlinda
Kelmendi tha se ndjehet mjaftë e lumtur që ka gjetur përkrahjen
maksimale, që të arrijë ta përfaqësojë Kosovën në garat ndërkombëtare.
“Faleminderit
shumë jo vetëm për këto fjalë të mira, por në përgjithësi edhe për
punën, sepse deri tash kam pasur shumë premtime nga ministrat dhe nga
shumë politikanë tjerë që do të bëjnë, jo vetëm për Majlindën, por në
përgjithësi për sportin, mirëpo këto kanë mbetur vetëm fjalë. Dhe ju
jeni personi i parë që atë çka e keni thënë edhe e keni bërë në
praktikë. Të falënderoj shumë sepse mund të them se ju jeni faktori
kryesor që më ka bërë të mendoj që në fund ta refuzoj ofertën e
Azerbejxhanit, e cila ka qenë ofertë e mirë mund të themi”, u shpreh
Majlinda duke shtuar se do të angazhohet që të sjellë edhe medalje të
tjera në Kosovë. Edhe trajneri i Majlindës, Driton Kuka, shprehi
falënderimet e tij për krejt angazhimin që është bërë dhe tha se do të
punohet mjaftë që të ketë rezultate pozitive.
Xhudistja Mjalinda Kelmendi pritet që këto ditë ta përfaqësojë Kosovën në Grand Slam-in ndërkombëtar në Moskë.