Lëvizja Vetëvendosje! sot organizoi një tryezë të rrumbullakët ku u
diskutua sistemi aktual i pensioneve në Kosovë si dhe mundësitë për
përmirësimin e tij. Qëllimi i kësaj tryeze ishte të shpaloset një ide
fillestare me qëllim të nxitjes së diskutimit rreth kësaj çështje tejet
të rëndësishme sociale, politike por edhe ekonomike, njofton nëpërmjet
një komunikate Vetëvendosje.
Përpos aktivistëve të Lëvizjes
Vetëvendosje! Dardan Sejdiu dhe Visar Ymeri,të cilët prezantuan
platformën për evoluimin e sistemit pensional, në këtë tryezë si
panelistë morrën pjesë edhe përfaqësues nga sindikatat, shoqëria civile
dhe nga subjekte të ndryshme politike.
Gjatë prezantimit u tha se
sistemi pensional radhitet në njërën prej pikave më të rëndësishme të
politikave publike, dhe si i tillë ai duhet të jetë i mirëmenduar dhe
mirëdiskutuar, përveç se i zbatuar me kujdes. Ky në Kosovë ka qenë i
imponuar, qoftë nga rrethanat, apo nga vullneti i një grupi të caktuar
njerëzish. Si i tillë ai ka shumë mangësi. Më e theksuara nga të cilat
mbetet statusi i pensionistëve aktual, si dhe nëpërkëmbja e të drejtave
të tyre nga sistemi i zbatuar në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje!
konsideron se pensionet janë e drejtë e garantuar që e gëzon qytetari e
jo favor i pushtetit ndaj qytetarit. Dhe sistemi pensional duhet ta
garantojë mirëqenien e të gjithëve e jo të bazohet në sakrifikimin e
njërës apo tjetrës gjeneratë.
Në këtë drejtim konsiderojmë se çfarëdo
ndryshimi e plotësimi i sistemit pensional në Kosovë duhet doemos t’i
plotësojë 3 kritere kryesore: Mbrojtjen e të drejtave, interesave dhe
garantimin e mirëqenies për punonjësit aktual, mrojtjen e të drejtave,
interesave dhe garantimin e mirëqenies për pensionistët aktual dhe
mobilizimin e kursimeve pensionale në funksion të zhvillimit ekonomik të
vendit.
Këto kritere, sipas Vetëvendosjes, e garantojnë edhe plotësimin e
dy komponentave të rëndësishme që e përbëjnë sistemin pensional: atë
sociale dhe ekonomiko financiare. Por këto kritere edhe e mundësojnë
institucionalizimin dhe formalizimin e solidaritetit e kohezionit
shoqëror, që është tejet e rëndësishme për çfarëdo zhvillimi shoqëror,
politik e ekonomik të vendit tonë. Kriteret e propozuara më sipër janë
dëshmuar të jenë qenësore në secilin sistem të shëndosh dhe të
qëndrueshëm pensional.
Është evidente se ato që sot quhen pensione
bazë në Shtyllën e parë të sistemit pensional të Kosovës, që financohen
nga Buxheti i Kosovës, pra nga tatimet e qytetarëve, nuk i përmbushin as
kriteret e pensionit, si status i caktuar shoqëror, e as nevojat
financiare për sigurimin e një jete të dinjitetshme për pensionistin.
Ndryshimi dhe plotësimi i këtij sistemi do të nënkuptonte përmbushje të
këtyre dy kritereve përmes rritjes së bazës së financimit të pensionit
duke e futur kontributin si burim i financimit në Shtyllën e parë, dhe
përmes rritjes së përshkallëzimit të nivelit të pensionit bazuar në
përvojën e punës dhe pastrimit të listave të pensionistëve. Kjo do t’ia
mbronte kontributin e deritashëm punonjësve aktual, do ta qartësonte
statusin juridik të tatimeve dhe kontributeve, si dhe do t’ua mundësontë
pensionistëve aktual një pension më të lartë dhe më stabil.
Përgjithësisht ky sistem pensional do të fitonte qëndrushmërinë sociale
por edhe atë financiare.
Ndërsa kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi
vlerësoi se është krim që edhe dymbëdhjetë vjet pas luftës shteti ynë
ende nuk ka ligj për pensionet dhe shprehu bindjen se punëtorët janë të
gatshëm të kontribuojnë për gjeneratën aktuale të pensionistëve pasi që
të miratohet një ligj i mirë për sistemin pensional.
Përfaqësuesit e
partive të pensionistëve kritikuan Qeveritë e pasluftës të cilat nuk
kanë marrë asnjë hap konkret për kthimin e fondit pensional të grabitur
nga Serbia. Ata theksuan ndër të tjera se edhe projektligji për sistemin
pensional, që pritet që Qeveria ta sjellë në Kuvendin e Kosovës është
diskriminues për pensionistët aktual sepse i përjashton ata si dhe në
shpërputhje me konventat ndërkombëtare.
Kjo tryezë u vlerësua si hapi
i parë drejt krijimit të një platforme të përbashkët për krijimin e një
sistemi pensional, i cili përmirëson gjendjen e pensionistëve aktual
por edhe të qëndrueshëm për gjeneratat e ardhshme.