Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti të
enjten në takim Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane
të Republikës së Malit të Zi, Milan Rocen, me të cilin diskutoi për një
varg çështjesh rreth marrëdhënieve në mes të dy vendeve tona dhe
zhvillimet e përgjithshme në rajon. Ata theksuan se të dyja vendet do të
shkëmbejnë përvojat e rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Presidentja
Jahjaga shprehu në takim kënaqësinë për marrëdhëniet e mira ndërmjet
Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi. Ajo shprehu
falënderimin për faktin se Mali i Zi është nga shtetet e para që e njohu
pavarësinë e Kosovës, gjë që ka simbolikën e saj, sepse të dyja vendet
paraqesin përfundimin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës i
japin përkrahje të plotë nismës për përkufizimin e vijës kufitare
ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, si dhe
nismës që të hapet pika kufitare në Çakor dhe që të dy pikat kufitare
ndërmjet Kosovës dhe Mali të Zi të jenë pika kufitare të përbashkëta.
“Rruga e përbashkët e vendeve tona është rruga e integrimeve
euroatlantike, anëtarësimi në BE dhe në NATO. Në këtë rrugë duhet të
bashkëpunojmë dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin, sepse e ardhmja e gjithë
rajonit është në Evropë”, tha Presidentja Jahjaga.
“Presim, si deri më tash, që Mali i Zi të angazhohet dhe të ndihmojë
Kosovën në anëtarësimin e saj në organizatat rajonale si dhe që Mali i
Zi të lobojë për njohjen e pavarësisë së Kosovës tek vendet mike të saj
dhe sidomos tek vendet e painkuadruara”, tha presidentja Jahjaga. Ajo
gjithashtu theksoi se është në interesin e të dyja vendeve që të
intensifikojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat, edhe ekonomike edhe
kulturore, sepse kjo e ndihmon prosperitetin e të dyja vendeve.
Ministri Rocen, pasi uroi Presidenten Jahjaga për zgjedhjen në
detyrën e saj, tha se zgjedhja e saj paraqet zhvillim me rëndësi jo
vetëm për Kosovën dhe Ballkanin, por edhe më gjerë. Ai theksoi se
marrëdhëniet mes Kosovës dhe Malit të Zi janë shumë të mira dhe këto
marrëdhënie do të zhvillohen dhe konkretizohen edhe më tej. Gjithashtu,
ai u shpreh se do të vazhdohet tradita e mirë e miqësisë mes të dy
vendeve. Në këtë plan, ai theksoi se pjesëtarët e pakicave janë urë e
mirë lidhëse mes popujve.