Dialogu Prishtinë-Beograd, sipas palëve në bisedime, mund të prodhojë një pako marrëveshjesh diku nga mesi i qershorit. Ndonëse dallimet politike mes të dyja vendeve mbeten shumë evidente, synimet janë që të gjendet mesi i artë, në mënyrë që asnjëra palë të mos e gjejë veten politikisht humbëse në këtë dialog.
Shefja e delegacionit të Kosovës në këto bisedime, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, tha për Radion Evropa e Lirë se ka një përparim të dukshëm në dialogun e filluar, duke përmendur më pas edhe një varg çështjesh për të cilat pritet të arrihen marrëveshje.
“Pritet që para pushimeve verore të kemi një pako marrëveshjesh, që përfshijnë çështjet e lëvizjes së lirë, tregtisë së lirë, përkatësisht njohjen e vulave të Doganave të Kosovës nga Serbia. Pastaj, do të ketë marrëveshje për çështjet e energjisë, e besoj edhe për ato të telekomunikacionit, si dhe për çështjet e regjistrave civilë, kadastralë dhe për njohjen e diplomave shkollore dhe universitare”, tha Tahiri.
Edhe pala serbe pret që marrëveshjet e para eventuale Prishtinë-Beograd të arrihen gjatë qershorit. Sekretari në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanovic, i tha Radios Evropa e Lirë se nëse nuk ka një marrëveshje gjatë qershorit, atëherë teknikisht është e pamundur të ketë një marrëveshje gjatë verës, për shkak të pushimeve verore.
“E kam paralajmëruar që është e mundshme (arritja e marrëveshjes), duke pasur parasysh që qershori është muaji i fundit i punës në pjesën e parë të vitit. Gjatë muajit të shtatë dhe të test, askush nuk punon në administratën e BE-së. Do të thotë, para verës, para pushimeve, ne e kemi vetëm një mundësi për marrëveshje, gjatë takimit që do të mbahet nga mesi i qershorit”, ka thënë Ivanovic.
Ndonëse i paralajmërojnë marrëveshjet gjatë qershorit, të dyja palët insistojnë që përmes këtyre marrëveshjeve nuk do të shkelin kushtetutat e vendeve të tyre.
Prishtina dhe Beogradi, deri më tani, kanë diskutuar çështjen e vulave të doganave, regjistrin civil dhe kadastrën, lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, çështjen e diplomave shkollore e universitare, pastaj çështjen e energjisë dhe telekomit, si dhe temat e ndjeshme, si ajo e personave të pagjetur të luftës. Për asnjë nga këto çështje deri më tani nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete. /Telegrafi/