Mënyra e shitjes së ndërmarrjes “Sharr Cem” nga Agjencia e Privatizimit
është parë si e jashtëligjshme nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm,
shkruan sot “Koha Ditore”. Auditimi i Fondit të Privatizimit për vitin e
kaluar ka nxjerrë shkelje ligjore prej kontraktimit të kompanisë
këshilluese në këtë proces të privatizimit e deri tek shitja e gjigantit
të çimentos. Sipas auditorëve, Agjencia e Privatizimit nuk e kishte
respektuar bazën ligjore të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore që
përcaktohen në Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për AKP-në, si dhe
politikat operacionale të kësaj agjencie.
“Për privatizimin e
ndërmarrjes ‘Sharr Cem’, AKP-ja nuk kishte respektuar këto procedura,
por kishte negociuar vetëm me blerësin i cili e kishte në shfrytëzim
ndërmarrjen (komercializim) deri në momentin e privatizimit”, thuhet në
raportin e auditimit të Fondit të Privatizimit për vitin 2010.
Kjo
ndërmarrje ishte shitur për 30 milionë euro që ishte 42 për qind e të
hyrave nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore gjatë vitit të kaluar.
“Negocimin
e çmimit e kishte bërë kompania e kontraktuar për shërbime
këshillëdhënëse “Raiffeisen Investment”. Pas negocimit është arritur
marrëveshja për çmimin 30.100.000 euro, me të cilin çmim shitet
ndërmarrja”, theksohet në këtë raport.
Sipas auditorëve, Agjencia e Privatizimit nuk kishte siguruar çmim të tregut të hapur gjatë shitjes së kësaj ndërmarrjeje.
“Parregullsitë
e vërejtura prej kontraktimit të këshilltarit deri të shitja e “Sharr
Cemit” na shpien në mendimin se është favorizuar blerësi i kësaj
ndërmarrjeje. Andaj shprehim shqetësimin tonë lidhur me procesin e
privatizimit të kësaj ndërmarrje”, theksohet në raport.
Agjencia e
Privatizimit, sipas auditorëve, ishte arsyetuar se e kishte bërë
transparente shitjen e kësaj ndërmarrjeje pasi që më 9 gusht të vitit të
kaluar i kishte informuar për këtë presidentin e Republikës,
kryeministrin, Kuvendin, Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Zyrën
Civile Ndërkombëtare, si dhe disa ambasada.
Përveç privatizimit,
auditorët kishin gjetur shkelje edhe gjatë kontraktimit të kompanisë
konsulente e cila do të ndërmjetësonte në shitjen e “Sharr Cemit”.
“Në kontratën “Kontraktimi i Shërbimeve Këshillëdhënëse për Transaksione Lidhur me
Privatizimin e Sharr Cemit”, vërehet që AKP-ja prej fillimit kishte favorizuar kompaninë fituese”, kanë konstatuar auditorët.
Ky
tender fillimisht ishte iniciuar nga Njësia e Prokurimit brenda AKP-së,
por ishte anuluar më vonë. Bordi i AKP-së kishte marrë vendim që të
vazhdohet ritenderimi përmes metodës së procedurave të prokurimit të
brendshëm.
“Sipas kësaj metode, AKP-ja nuk kishte aplikuar procedura
të hapura, mirëpo ua kishte dërguar ftesën pesë kompanive për dorëzimin
e ofertave. Duke u bazuar në këto oferta përzgjidhet kompania fituese
“Raiffeisen Investment” në vlerë 580.000 euro”, kanë konstatuar
auditorët.
Sipas këtij raporti, procedurat për përzgjedhjen e
këshilltarit, i cili do të përcaktonte vlerën e shitjes së ndërmarrjes
‘Sharr Cem’ nuk kishin qenë transparente. Auditorët, përveç kësaj
gjetjeje, kanë konstatuar shkelje edhe për sa u përket shitjeve të tjera
që kanë të bëjnë me prezantim jo të drejtë të sipërfaqes së tokës e
shpërblim me kontratë të ndërmarrjeve që nuk i kanë përmbushur kushtet e
komercializimit.