Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) e ka shpallur të paligjshëm një tender të shpallur nga kombinati Trepça, përkatësisht pjesa e cila menaxhohet nga komuniteti serb, tender ky i publikuar në një ueb-faqe. Trepça, ndërmarrje nën administrim të AKP-së, në prill të këtij viti kishte publikuar një ‘ftesë për oferta’ për shitjen e 2.5 milionë tonëve të mbetjes minerare nga Metalurgjia e Plumbit në Zveçan.
Ky ka qenë tender ndërkombëtar, ndërsa planifikohej që dinamika e planifikuar e transportit të zgjasë përafërsisht 3 vjet. Por Agjencia Kosovare e Privatizimit në një njoftim, që e ka lëshuar ndërkohë, e ka shpallur këtë tender të paligjshëm pasi bazuar në Ligjin nr. 03/L-067, AKP-ja është themeluar si organ i pavarur publik, me autorizimin për administrimin, duke përfshirë shitjen, transferimin dhe/ose likuidimin e ndërmarrjeve dhe aseteve në pronësi shoqërore, shkruan Koha Ditore.
“Nën këtë autoritet administrativ hyn edhe ‘Trepça’- ndërmarrje nën administrim të AKP-së. Duke u bazuar në kompetencat administrative mbi ndërmarrjet shoqërore, në pajtim me Ligjin nr. 03/L-067, Agjencia Kosovare e Privatizimit shpall të paligjshëm tenderin e publikuar në ueb-faqen e kësaj ndërmarrjeje”, thuhet në njoftimin e lëshuar.
Shkëlzen Lluka, drejtor menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ka thënë se tenderi i cili është shpallur në një ueb-faqe për shitjen e 2.5 milionë tonë mbetjeve minerare është i jashtëligjshëm. “Ne atë tender e kemi shpallur të paligjshëm dhe për këtë çështje e kemi njoftuar edhe dhomën e veçantë të Gjykatës Supreme dhe e kemi bërë njoftimin edhe në gazeta”, ka thënë Lluka. “Ata fillimisht e kanë shkelur ligjin duke mos na njoftuar neve si AKP për këtë aktivitet të prokurimit, pasi janë të obliguar të marrin pëlqimin prej neve për një gjë të tillë. Pastaj, ata janë të obliguar që të marrin edhe pëlqimin e Odës së Veçantë të Gjykatës Supreme, pasi në memorandum parashihet një gjë e tillë”, tha Lluka.
Por menaxhmenti i pjesës veriore me rastin e shpalljes së këtij tenderi nuk i ka respektuar fare procedurat ligjore që parashihet në Ligjin e Prokurimit Publik. /Telegrafi/