Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u kthye të
premten në Kosovë pas vizitës zyrtare në Itali, ku mori pjesë, me ftesë
të presidentit italian Giorgio Napolitano. Presidentja Jahjaga u prit
në Aeroportin e Prishtinës me ceremoni zyrtare nga njësiti ceremonial i
FSK-së. Gjatë takimeve bilaterale me liderët e shteteve që ishin
prezentë, Jahjaga tha se ka marrë premtime për njohje të reja të shtetit
të Kosovës. Ajo komentoi edhe prishjen e marrëveshjes së Kosovës me
Fondin Monetar Ndërkombëtar.Pjesëmarrja e Republikës së
Kosovës në ceremoninë e 150-vjetorit të bashkimit të Republikës së
Italisë, ku morën pjesë edhe mbi 80 burrështetas nga e gjithë bota, ka
qenë një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme dhe kjo dëshmon se Kosova
bëhet pjesë edhe e iniciativave dhe aranzhimeve të tjera ndërkombëtare,
tha presidentja në një konferencë për media në Aeroportin e Prishtinës.
“Kosova, me këtë vizitë dhe me vizitën e javës së kaluar (në
Varshavë), tregon që në mënyrë të fuqishme është duke marrë pjesë në
ngjarje në të cilat diskutohen çështje të rëndësisë së veçantë, por edhe
për sfidat globale, ku Kosova deri tash ka qenë pjesë e diskutimeve në
forume dhe samite të ndryshme. Por, tani Kosova merr pjesë në mënyrë të
barabartë me shtetet e tjera, ku mendimi, fjala dhe rekomandimet që
vijnë nga Kosova janë të vlerësuara dhe merren parasysh në mënyrë të
barabartë edhe nga shtetet e tjera”.
“Kjo tregon një gatishmëri të Kosovës për të lëvizur drejt hapave në
të cilët kanë lëvizur shtetet e tjera, jo vetëm të Evropës por edhe më
gjerë. Kosova ka pasur rezultate të shumta dhe Kosova është gjithnjë e
më shumë duke luajtur rol të rëndësishëm edhe në bazë të marrëveshjes
politike e cila ka kontribuuar në avancimin e shtetit, por edhe për
stabilitetin në vend dhe në rajon”, tha Jahjaga.
Presidentja e Republikës komentoi edhe prishjen e marrëveshjes së
Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar, pas vendimit të Qeverisë për
ngritjen e pagave në kundërshtim me rekomandimet e FMN-së. “Unë shpreh
keqardhje për vendimin e FMN-së në lidhje me abrogimin e vendimit për
marrëveshjen ‘stand by’. Unë sot jam kthyer nga udhëtimi dhe menjëherë
do t’i kem disa takime shtesë dhe do t’i inkurajoj të gjitha
institucionet vendore që sa më shpejt që është e mundur t’i përmbushin
kushtet dhe obligimet e tyre ligjore, në mënyrë që neve të mund ta
marrim hapin drejt arritjes së marrëveshjes sa më shpejt që është e
mundur”. /Telegrafi/