Pas më shumë se 6 muajsh hetimesh, Prokuroria Speciale e Kosovës
ka ngritur aktakuzë të mërkurën ndaj drejtorit të Doganave, Naim
Huruglica dhe shefit të Zyrës Ligjore të këtij institucioni, Lulzim
Rafuna.Ngritjen e aktakuzës për dy zyrtarët më të lartë
doganorë në vend e ka konfirmuar për “Zërin” edhe James Nicolls, zyrtar
për media në EULEX. Sipas tij, ngritja e kësaj aktakuze ndërlidhet me
dyshimin për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe abuzim të autorizimeve
ekonomike me rastin e importit të madh të duhanit në dhjetor të vitit
2008. Mësohet se në fund të vitit 2008 katër kompani janë lejuar nga
Doganat të importojnë sasi të mëdha cigaresh, duke krijuar kështu stoqe
marramendëse, ndonëse së shpejti pritej shtrenjtimi i akcizës në duhan.
Përpos ngritjes së aktakuzës ndaj dy zyrtarëve të lartë doganorë,
Prokuroria Speciale po të njëjtën ditë ka ngritur aktakuzës edhe ndaj
kryeshefit ekzekutiv të PTK-së, Shyqyri Haxha, kryetarit të Bordit të
kësaj ndërmarrjeje Rexhë Gjonbalaj, Blerim e Shkëlqim Devollit dhe Ismet
Bojkut në lidhje me rastin “Dardaphone”.
Përndryshe, hetimet ndaj Huruglicës dhe Rafunës kanë filluar më 16
dhjetor 2010 nga Njësia për Hetime Financiare e Departamentit Ekzekutiv
të Policisë së EULEX-it, me ç’rast ishin kryer bastisje në tri zyra në
selinë e Doganës së Kosovës dhe në Ministrinë e Ekonomisë dhe të
Financave (në Departamentin Ligjor) në Prishtinë.
Të pranishëm në vendngjarje në atë kohë kishin qenë edhe prokurorët
specialë të EULEX-it, në mënyrë që të mbikëqyrin dhe të sigurojnë
mbledhje efektive të dëshmive dhe t’iu ofrojnë personave të pranishëm
sqarim të plotë dhe të duhur. Përpos zyrave në selinë e Doganës dhe MEF,
EULEX kishte bastisur edhe tri shtëpi private, të cilat bastisje ishin
autorizuar nga gjykatësi i procedurës paraprake i EULEX-it pranë
Gjykatës së Qarkut të Prishtinës.
Gazeta “Zëri” të mërkurën ka tentuar ta kontaktoj nëpërmjet telefonit
edhe drejtorin e Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, në lidhje me
aktakuzën e ngritur ndaj tij, mirëpo ky i fundit nuk është përgjigjur
fare në telefon. /Telegrafi/