Qeveria e Kosovës përfundimisht nuk do të ketë informata zyrtare sesa
qytetarë jetojnë në pjesën veriore të Mitrovicës, sa ekonomi familjare
dhe sa banesa apo shtëpi ka në atë anë, shkruan sot “Koha Ditore”. Kjo
për faktin se ekzekutivi qendror dhe Komisioni Evropian kanë dështuar që
ta bindin komunitetin serb në veri që të pranojë të regjistrohet,
pavarësisht faktit se për gati një muaj një OJQ ishte angazhuar për të
bërë fushatë në pjesën veriore të Mitrovicës, e cila përmes shpërndarjes
së broshurave kishte bërë përpjekje që serbëve të atjeshëm t’u
shpjegohet rëndësia e procesit të regjistrimit të popullsisë.
Një
zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës ka konfirmuar të mërkurën në
kushte anonimiteti se realizimi i regjistrimit të popullsisë në veri
është i pamundur të realizohet.
“Nuk do të ketë regjistrim në
veri. Së bashku me ndërkombëtarët jemi angazhuar që të gjejmë një
alternativë për t’i bindur serbët në atë pjesë që të pranojnë të marrin
pjesë në regjistrim, por kjo nuk u arrit”, ka treguar zyrtari i lartë
qeveritar. I njëjti zyrtar ka bërë me dije se ekzekutivi qendror pritet
që brenda këtyre ditëve të dalë me një qëndrim publik lidhur me
pamundësinë e regjistrimit në veri të Mitrovicës.
Edhe ministri i
Administratës Publike, Mahir Yagcilar, është shprehur pesimist se do të
realizohet regjistrimi në veriun e Mitrovicës.
“Duke iu
referuar gjendjes në terren unë nuk kam shpresë që regjistrimi mund të
bëhet në atë pjesë, sepse nuk ka gatishmëri të qytetarëve që të marrin
pjesë në proces. Por megjithëkëtë duhet të pritet deri në momentin e
fundit, sepse regjistrimi në atë pjesë është shndërruar në çështje
politike dhe jo teknike”, ka deklaruar ministri Yagcilar. Ndërsa ka
përsëritur se afati i fundit për regjistrimin e popullsisë në pjesën
veriore është caktuar qershori, pasi që në fund të këtij muaji është
planifikuar të publikohen rezultatet preliminare të regjistrimit.
“Nuk
ka efekt që regjistrimi të bëhet më vonë se në qershor, sepse të dhënat
nga regjistrimi atje është dashur të përfshihen në rezultatet
preliminare të cilat janë në përgatitje e sipër”, është shprehur
ministri Yagcilar.
Nga ana tjetër partitë opozitare kanë
vlerësuar se Qeveria qëllimisht e ka angazhuar UNOPS-in për ta bërë
regjistrimin në veri me qëllim që të mos e marrë përgjegjësinë për
dështimin e saj të radhës.
“Qeveria e Kosovës e ka mashtruar
veten për sa i përket regjistrimit duke besuar që atë do mund të bëjë
UNOPS-i, për t’i ikur përgjegjësisë së dështimit. Por edhe sikur të
realizohej regjistrimi nga UNOPS-i është dashur të bëhet në bashkëpunim
me strukturat e Beogradit që bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe
ligjet e Kosovës si dhe do të ishte shkelje e sovranitetit të vendit”,
ka vlerësuar përfaqësuesja e AAK-së, Melihate Tërmkolli, ish- ministre e
Administratës Publike. Me këtë rast ajo ka thënë se “më e keqja është
se ky është dështimi i radhës i Qeverisë Thaçi, e cila është mbështetur
për muri dhe duhet të deklarohet publikisht për këtë dështim”.
Por
sipas Tërmkollit tashmë ekziston rreziku që veriu i vendit të
përfshihet në regjistrimin e popullsisë së Serbisë, e cila ka
planifikuar që regjistrimin e popullsisë së saj ta bëj në tetor të këtij
viti.
“Tash për tash ka shumë rrezik që regjistrimi i
popullsisë në veri të bëhet nga Serbia, e cila në tetor do të bëjë
regjistrimin e popullsisë serbe dhe nëse Qeveria e lejon që
regjistrimin e popullsisë në veri ta bëjë Serbia, atëherë kjo Qeveri e
ka pranuar ndarjen e Kosovës”, ka theksuar Tërmkolli, duke e vlerësuar
regjistrimin e popullsisë si projekt të dështuar politikisht dhe të
parregullt e të pasaktë teknikisht.
Qeveria është kritikuar edhe
nga përfaqësuesi i lëvizjes “Vetëvendosje”, Alban Krasniqi. Duke folur
për këtë proces Krasniqi ka thënë se “Qeveria e Kosovës dhe
institucionet tjera në këtë projekt, qëllimisht kanë hequr dorë prej
procesit të regjistrimit në veri, i cili ka qenë program ndërkombëtar
dhe jo kombëtar. UNOPS-i po bën negociata me strukturat paralele në
Kosovë për ta bërë regjistrimin në veri dhe po shihet se regjistrimi i
popullsisë është bërë për pazare politike”.
Sipas Krasniqit çdo
regjistrim që do të bëhet nga institucionet e tjera të cilat nuk janë të
vendit, do të jetë i dëmshëm dhe i papranueshëm, por siç ka vlerësuar
ai Qeveria e Kosovës nuk ka vullnet për t’i ndaluar veprimet e Serbisë
në Kosovë, pavarësisht që sipas Krasniqit ato janë në dëm të vendit.
“Qeveria
nuk ka vullnet për ta parandaluar regjistrimin të cilin është duke
planifikuar Serbia në Kosovë dhe këtë ia ka lejuar vetë, duke bërë
regjistrimin në mënyrë të pjesshme, edhe pse kjo nuk parashihet me
Ligjin për regjistrimin e popullsisë në Kosovë”, është shprehur
Krasniqi. Regjistrimi i popullsisë në vendin tonë është realizuar pas
gati 30 vjetësh. Në përfundim të këtij procesi, i cili kishte filluar më
1 prill, zyrtarë të Entit të Statistikave të Kosovës kishin pranuar se
ka pasur edhe qytetarë shqiptarë të cilët kanë refuzuar të
regjistrohen.