Jahjaga: Përmirësimi i kushteve në gjyqësor mundëson krijimin e institucioneve të pavarura
Prishtinë, 11 maj 2011 (13.10)
Shtimi i numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe sigurimi i kushteve fizike dhe materiale, ndikon në krijimin e institucioneve të pavarura, efikase dhe të paanshme, ka thënë presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.
Ajo këto komente i bëri të mërkurën gjatë një ceremonie me rastin e fillimit të programit fillestar për arsimimin ligjor të gjeneratës së katërt të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë të Kosovës.
Jahjaga përshëndeti fillimin e arsimimit ligjor të gjeneratës së katërt për të përmbushur nevojat e sistemit gjyqësor si një prej shtyllave bazë të institucioneve të Kosovës.
“Krijimi i kushteve me rritjen e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, sigurimi i kushteve fizike dhe materiale, ndikon në krijimin e institucioneve të pavarura, efikase dhe të pa anshme, që të jemi shtet me standarde të larta ku sundimi i ligjit është garanci kryesore me krijimin e një shoqërie dhe shteti të efektshëm funksional për të gjithë qytetarët pa dallim feje, kombi apo përkatësie gjinore”, ka thënë Jahjaga.
Ajo po ashtu kërkoi nga kandidatët që kanë fituar të drejtën për trajnim që me përkushtim, profesionalizëm dhe integritet t’i realizojnë përgjegjësitë e tyre në sfidat e shtet-ndërtimit të vendit.
“E filloni një rrugëtim shtatë muajsh dhe si gjyqtar dhe prokuror të Kosovës keni një sfidë të veçantë, një përgjegjësi individuale, profesionale dhe morale që me punën tuaj të jeni përfaqësues të një gjenerate të re për Kosovën, me vendin e saj të merituar në familjen e shteteve evropiane, ku sundimi i ligjit mbetet baze funksionimit të shtetit dhe garanci e kontrollit të pushteteve me parimin se askush nuk është mbi ligjin”, ka thënë Jahjaga.
Kryetari i Gjykatës Supreme dhe kryetar i Këshillit Drejtues Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës, Fejzullah Hasani, ka thënë se zbatimi i këtij programi që po promovojmë sot do të jetë shumë produktiv për sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës.
“Para nesh janë shumë sfida për ngritjen profesionale të gjymëtarëve dhe prokurorëve, në mënyrë që të sigurohet sundimi i ligjit dhe të garantohet një jetë më e mirë për të gjithë qytetaret e Kosovës. Jemi të bindur se zbatimi i këtij programi që po promovojmë sot do të jetë shumë produktiv për sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës “, ka thënë Hasani.
Ndërsa, zëvendës kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka thënë se Ministria e Drejtësisë ka planifikuar themelimin e Akademisë së Drejtësisë, e cila në të ardhmen e afërt mendohet të shkrihet Instituti i Drejtësisë në Kosovë dhe kjo akademi të jetë qendra kryesore e arsimimit të vazhdueshëm ligjor.
“Si gjyqtarë dhe prokurorë ju do të jeni bartës të një funksioni vital për zbatimin e drejtësisë dhe sundimin e ligjit në republikën tonë”, ka thënë Kuçi.
Ndryshe, presidentja Jahjaga dorëzoi në mënyrë simbolike modulet trajnuese tek kandidati më i suksesshëm në provimin përgatitor 2011.
Nga 161 kandidatë sa kanë konkurruar, vetëm 44 kandidatë kanë fituar të drejtën për këtë program trajnimi, i cili përfshin trajnimet speciale nga fusha e drejtësisë./kosovapress/