Duke shkelur ligjin, ministrja Mimoza Kusari-Lila e ka bërë ushtrues detyre të sekretarit permanent në dikasterin qeveritar që drejton një bashkëpunëtore të kahershme të saj.
Fillimisht ka shkarkuar nga e njëjta pozitë Muhamet Rudarin, e më pas nuk ka vënë në vend të tij ndonjë zyrtar të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ashtu siç parashihet me Ligjin për shërbimin civil. Ky ligj parasheh që “në rast të mungesës së një sekretari të përgjithshëm apo pozicioni ekuivalent, ai/ajo do të zëvendësohet nga nëpunësi civil i rangut më të lartë në përputhje me rregullat e përcaktuara në ligjin për procedurën administrative”. Nëpunës i rangut më të lartë i bie të jenë shefat e departamenteve.
Ministrja Kusari-Lila ka këmbëngulur se nuk ka vepruar kundër ligjit kur ka marrë këtë vendim dhe ka bërë ushtrues të detyrës së sekretarit permanent Eliana Nakan. Kjo, ani se Naka fillimisht ishte emëruar këshilltare politike nga ministrja.
“Me synimin e mbajtjes së dinamikës së ndryshimeve të cilat kanë ndodhur në ministri, ushtruesi i detyrës është shkarkuar dhe ka kaluar në pozitën të cilën e ka pasur si drejtor i departamentit. Sekretari paraprak e ka pasur shansin... Ka pasur raste kur ka dështuar në përpjekjet e tij dhe kjo ka qenë arsyeja që ta shkarkoj”, ka thënë ministrja Kusari-Lila. “Eliana nuk është e afërt e imja, por bashkëpunëtore. Kemi të bëjmë me një post për të cilin nevojiten njohuri të shumë proceseve të menaxhimit dhe ky emërim nuk mendoj që është diçka që ka të bëjë me shkeljen e ligjit”, ka shtuar ajo.
Mirëpo, burime të gazetës kanë thënë se vendimi lidhet me përgatitjen e terrenit për Nakan që ajo të bëhet sekretare permanente gjatë procesit të emërimeve që do të bëhet rishtas.
“Ministrja edhe ashtu prej që ka ardhur nuk i ka ofruar bashkëpunim sekretarit. Ajo po do ta politizojë edhe shërbimin civil”, i ka thënë gazetës një zyrtar i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. “Rudari nuk do të heshtë. Ai tash ka bërë një ankesë”.
Gazeta nuk ka mundur ta kontaktojë as Muhamet Rudarin dhe as pasrendësen e tij, Eliana Naka, që ministrja fillimisht e kishte emëruar këshilltare politike. Edhe me këtë emërim i kishte dalë problem. Fitim Krasniqi, sekretar permanent në Zyrën e Kryeministrit, ia kishte bërë të qartë se nuk kishte të drejtë të merrte këshilla nga ajo, për shkak se Naka nuk kishte përmbushur detyrimet që kishte ndaj qeverisë si kompensim për një bursë që kishte fituar për të bërë studime pasuniversitare jashtë vendit. Ajo duhej të punonte në shërbimin civil për së paku tre vjet.
Pikërisht për shkak se Naka është një nga përfituesit e programit Young Cell Scheme (YCS) të Komisionit Evropian, ministrja Kusari-Lila ka thënë se ka pasur të drejtë ta ngrejë në pozitë duke shpërfillur rregullat që mund të vlenin për kandidatët e tjerë.
“Kontrata e qeverisë... për këto kuadro që shkollohen në vende të Bashkimit Evropian në drejtime profesionale ka të bëjë me faktin që këta pastaj angazhohen në vende të shërbyesve civilë pa konkurs. Pra e kanë këtë të drejtë pa konkurs për shkak të përgatitjes së tyre”, ka insistuar Kusari-Lila. “Domethënë Elianës i ka pushuar kontrata si këshilltare, e kjo në ministri është e protokolluar”.
Pos kësaj “lufte” brenda Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për pozitën e sekretarit permanent, e ngjashme është hapur në shumë dikastere qeveritare. Kjo për shkak se iu janë shpallur konkurset 19 shefave të shërbimit civil në Qeveri. Dhjetë prej tyre janë zyrtarët që kanë ushtruar detyrën e sekretarit të përhershëm nëpër ministri të ndryshme, dhe nëntë të tjerë kanë qenë ushtrues detyre të kryeshefave ekzekutivë nëpër Agjenci ekzekutive. Këto pozita, pothuajse gjatë gjithë mandatit të kaluar të Qeverisë Thaçi janë mbajtur nga ushtrues detyre, në mungesë të funksionimit të organit që ishte i ngarkuar për rregullimin e këtyre pozitave me ligj - Këshillit për Emërime të Larta Publike, i cili tashmë është shuar.
E, listës, për pozitat e tilla të shpallura brenda një kohë të shkurtër, deri më tani i prin pikërisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Aty tashmë është shpallur e hapur gara për postin e sekretarit të përhershëm, i cili për afro tre vjet është mbajtur nga Muhamet Rudari, si u.d., kurse katër pozitat e tjera janë ato të kryeshefave të agjencive ekzekutive si institucione vartëse të kësaj ministrie. Konkursi është hapur për kryeshef të Agjencisë për regjistrimin e bizneseve, asaj për standardizim, pastaj të Agjencisë për mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe asaj për promovimin e investimeve të jashtme.