Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, të shtunën mori pjesë në
aktivitetet e organizuara në kuadër të Ditës së Prishtinës. Ajo
fillimisht bëri nderime para varrit të Presidentit të parë të Kosovës,
Ibrahim Rugova, duke çmuar lartë angazhimin, politikën dhe vizionin e
Rugovës, si ideator i pavarësisë së Kosovës.Ndërsa pas
nderimeve para varrezave të dëshmorëve dhe para shtatores së heroit të
kombit, Zahir Pajaziti, presidentja mbajti një fjalim në akademinë
solemne të Kuvendit Komunal të Prishtinës.
“Çlirimi i Kosovës dhe shpallja e Kosovës shtet sovran dhe të
pavarur, është një vepër madhore e shumë brezave që vepruan, dhe u
sakrifikuan për çështjen kombëtare e cila gjithmonë ishte e lidhur me
aspektet e një lëvizje përparimtare, civilizuese të ndërtimit të një
shteti të lirë, demokratik të prosperueshëm me të drejta të barabarta
për të gjithë qytetarët pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare fetare,
racore gjinore e tjetër. Republika e Kosovës është një vend i mundësive
të barabarta, është një vend demokratik që synon integrimet
euroatlantike, të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian dhe i NATO-s dhe të
jetë në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha
mes tjerash Jahjaga.
Ajo vlerësoi se pavarësia e Kosovës është shprehje e vullnetit të
popullit, është proces real që ka krijuar paqe dhe stabilitet në rajon
dhe sa më shpejt që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së, aq më shpejtë
rajoni do të integrohet në BE dhe në të gjitha organizatat ndërkombëtare
në të cilat do të japë kontributin e vet.
“Pavarësia e vendit është një proces i pakthyeshëm sepse mbështetet
në vullnetin plebishitar të popullit i cili është i përhershëm dhe i
panegociueshëm”, ka theksuar presidentja, duke bërë të ditur se Kosova
po e vazhdon procesin e njohjeve të pavarësisë së saj nga shtetet e
tjera me synimin që të arrijë numër të respektuar të njohjeve dhe të
vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në mënyrë që sa më shpejt të
bëhet anëtar i OKB-së dhe i BE-së. /Telegrafi/