Kryeprokurori i shumë premtimeve Johannes van Vreeswijk do ta
lërë EULEX-in në kohën kur misioni ka filluar “të korrat e të mbjellave”
që vetë Vreeswijk i pati proklamuar. Njeriut, që për një
kohë u bë simbol i luftës kundër korrupsionit në Kosovë, për shkak të
aksioneve të EULEX-it, për bastisje në prill të vitit të kaluar, po i
përfundon kontrata me EULEX-in.
Sipas burimeve të Kohës Ditore, nuk ekziston vullneti i ripërtëritjes
së kontratës, as nga zyrtarët e misionit, e as nga vetë Vreeswijk.
Holandezi, që premtoi aq shumë dhe u bëri thirrje të korruptuarve të
“djersiten”, nuk ka arritur që të ngrejë aktakuzë për asnjë ministër ose
ish-ministër në afera të korrupsionit.
Arsyet duke të jenë të shumta. Burimet brenda vetë misionit të
EULEX-it flasin për kontroll politik, procedura edhe më burokratike prej
emërimit të Xavier Bout de Marnhac si shef i misionit, e edhe për shumë
arsye tjera.
Ajo që zyrtarët e këtij misionit nuk e përmendin asnjëherë si arsye
për mungesën e aktakuzave, është mungesa e fakteve. Sipas tyre, fakte
dhe evidenca ka, ndonëse ka mungesë të bashkëpunimit të dëshmitarëve.
Zëdhënësi i EULEX-it, Nicholas Hawton nuk e sheh problematike largimin e Vreeswijk nga misioni.
“Johannes ka bërë një punë shumë të mirë për misionin. Puna e tij
vlerësohet shumë. Por, ai është vetëm pjesë e një ekipi të madh. EULEX-i
nuk është i individëve, por i një ekipi të madh që punon së bashku për
ta përmirësuar sundimin e ligjit në Kosovë”, ka thënë Hawton.
Sipas zëdhënësit të EULEX-it, rotacionet në pozita brenda misionit
janë pjesë normale e EULEX-it. Sipas tij, përveç shefit të prokurorëve,
misionin do ta lërë edhe shefi i komponentit të policisë.
“Të dyja pozitat do të zëvendësohen nga njerëz të aftësuar dhe të
vendosur. Puna e misionit nuk do të afektohet”, theksoi Hawton.
Johannes van Vreeswijk para një viti pati deklaruar se e ka të qartë
se si do ta “pastrojë Kosovën” nga krimi i organizuar dhe se si do ta
luftojë krimin në çdo pjesë të vendit, në të gjitha nivelet. /Telegrafi/