Dëshmitari “X” pretendon se kishte planifikuar ta vriste Fatmir
Limajn. Arsyeja pse dëshironte ta bënte këtë sipas këtij dëshmitari
ishin kërcënimet që po merrte nga Limaj dhe grupi i tij.Në
pjesën e dytë të dëshmisë që i ka dhënë prokurorit Maorizio Salustro,
dëshmitari bashkëpunues i koduar me shkronjën “X”, shkruan Koha Ditore
ka folur për raportet e tij me Limajn, takimet më të, planet për ta
fajësuar Isak Musliun, veprimtarinë në Shërbimin Informativ të Kosovës
etj.
“Pas aksidentit me veturë, që më ka ndodhur në Carralevë, isha aq i
inatosur, sa për një kohë të caktuar madje kam menduar ta vras Fatmir
Limajn. Tërë kohën kam qenë nën kërcënime nga grupi i Fatmirit. Ai ma ka
bërë jetën mizerie”, ka thënë dëshmitari, sipas dosjes së EULEX-it, një
kopje të së cilës gazeta e posedon, për të shtuar se në një moment
kishte vendosur që të shkonte në KFOR, ta dorëzonte armën dhe ta
denonconte ish-ministrin Limaj.
Dëshmitari ka thënë se pas përfundimit të luftës në vitin 2001 kishte
marrë një urdhër nga Fatmir Limaj që të shkonte dhe t’i largonte trupat
e varrosur në Kleçkë. Pasi kishte shkuar në shtëpinë e Skënder Shalës
në Kleçkë, sipas urdhrit të Limajt për ta “pastruar zonën”, “X”-i kishte
shkuar në këmbë deri te vendet ku ndodheshin trupat e varrosur së
bashku me Sabit Shalën dhe Naser Shalën.
Mirëpo aty nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim pasi që, sipas
dëshmitarit, Sabit Shala dhe Naser Shala kishin “thënë të mos prekim
asgjë”.
“Më vonë ne e takuam Fatmir Limajn në shtëpinë e Skënder Shalës në
Kleçkë. Fatmiri më pyeti pse nuk e kisha bërë atë punë. Unë i thashë:
pyeti nipat e tu. Ata qeshën dhe thanë e bëjmë dajë, e bëjmë. Kurrë nuk e
kam kuptuar pse ata hezituan ta kryenin punën, mendoj se e kishin nga
përtesa”, ka thënë dëshmitari.
Ai ka thënë se me Fatmir Limajn ka pasur marrëdhënie të mira që nga
viti 1998, kur e kishte njohur, me gjithë lëkundjet që kishin pësuar
këto marrëdhënie. Mirëpo sipas dëshmitarit pas përfundimit të luftës,
Fatmir Limaj kishte dërguar Naser Krasniqin që t’i rrinte pranë.
“Unë e ndieja se ai kishte dërguar Naserin që të më përcillte se
çfarë bëja. E di se Naseri operonte nën ombrellën e SHIK-ut. E di këtë
sepse unë vetë kam punuar për SHIK-un për tre muaj pas luftës. Mbase kam
qëndruar edhe më gjatë, por më kujtohet se i kam marrë tri rroga. Rroga
ime ishte 500 marka gjermane në muaj me para në dorë”, ka thënë
dëshmitari.
Pas Nazim Bllacës, dëshmitari “X” është njeriu i dytë që tregon se ka
punuar për Shërbimin Informativ të Kosovës, duke marrë përsipër edhe
vepra penale të kryera në llogari të këtij shërbimi. /Telegrafi/