Ish-mbikëqyrësi i të ashtuquajturit burgu i Kleçkës, i themeluar
dhe kontrolluar nga UÇK-ja gjatë vitit 1998-1999, ka thënë se këtë
urdhër e kishte marrë nga Fatmir Limaj - komandant Çeliku që të mos
guxonte ta lironte, ndryshe do të vritej.Ky ish-pjesëtar i
UÇK-së, që tashmë identifikohet si dëshmitari “X”, i ka rrëfyer
prokurorit special Maorizio Salustro prej ditës së parë kur i është
bashkuar UÇK-së e deri ditën që u është dorëzuar autoriteteve, shkruan
sot Koha Ditore.
Dëshmitari bashkëpunues që nuk do të ndiqet penalisht as për vrasjen e
dy serbëve të cilat thotë se i ka kryer vetë me urdhër të Fatmir Limajt
ka rrëfyer gjerë e gjatë në disa intervista të zhvilluara gjatë vitit
të kaluar. Ai ka folur për arrestimin e Blerim Kuçit, kryetarit aktual
të Suharekës dhe lirimin e tij “diplomatik” nga ish-kryetari i Gjykatës
Ushtarake të UÇK-së.
“Kur u lirua Blerim Kuçi sipas urdhrit të Sokol Dobrunës, Fatmir
Limaj filloi ta mallkonte atë. Blerim Kuçi ishte një komandant në zonën e
Suharekës. Sipas thashethemeve që i kam dëgjuar ai gjoja u kishte thënë
ushtarëve të tij t’i linin armët e tyre dhe të iknin për në Shqipëri.
Për këtë arsye vetë Fatmiri e kishte arrestuar atë dhe personalisht e
kishte dërguar në burgun e Kleçkës”, i ka thënë dëshmitari prokurorit,
dëshmitë e të cilit i ka siguruar Koha Ditore.
Gazeta ka siguruar dëshminë e tij rreth 200 faqe në të cilën ka bërë
skica e sqaruar ato që kishte shkruar në ditarin e tij. Kur ai ia
shkruante para emrin të ndonjë të burgosuri “plus” kjo nënkuptonte që ai
ishte ekzekutuar.
Dëshmitari “X” që është emër i njohur për redaksinë ka thënë se ka
kryer vrasje me urdhër të Limajt. Për këtë vrasje të dyfishtë atij i
ishin rrahur krahët nga Limaj. Një pjesë të madhe të dëshmisë ky
dëshmitar ia ka kushtuar Blerim Kuçit i cili refuzoi të dëshmon për
prokurorinë dhe u ndëshkua me një muaj burgim. Sipas këtij dëshmitari,
Limaj kishte thënë për Kuçin se duhej të ekzekutohej.
Dëshmitari ka rrëfyer se nuk donte t’i ekzekutonte njerëzit duke u
bazuar vetëm në dyshime. Gjatë kohës sa kishte qëndruar në fshatin Shalë
të Lypjanit, “X”-i ka thënë se ishin arrestuar dhe sjellë dy gazetarë
serbë.
Për ndalimin e tyre dikush e kishte informuar Hashim Thaçin. Thaçi
tash kryeministër i Kosovës dëshironte që t’i shihte personalisht dhe të
bisedonte me ta. Ai kishte shkuar në Shalë por nuk ishte lënë nga
dëshmitari t’i takonte pasi që nuk e njihte autoritetin e tij përveç
Limajt. Pas disa minutash Thaçi e kishte marrë Limajn dhe kishin shkuar
tek dëshmitari. Mirëpo Thaçi dhe Limaj kishin një problem: nuk dinin
serbisht. Si përkthyes kishin marrë dëshmitarin “X”. Kjo kishte ndodhur
në fund të vitit 1998 apo në fillim të vitit 1999. Gazetarët ishin
mbajtur për dy muaj në shtëpinë e “X”-it.
Dëshmitari e ka përshkruar shefin e Gjykatës Ushtarake, Sokol
Dobrunën si njëri të mirë. Dobruna i kishte thënë dëshmitarit që të mos e
merrja asnjë të burgosur pa nënshkrimin e tij. /Telegrafi/