Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga është
takuar të enjten me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, Philip
Gordon. Ky i fundit tha se SHBA-ja është e përkushtuar dhe do të
vazhdojë angazhimin në ndihmë Kosovës, në çështjen e njohjeve të reja,
mirëpo vlerësoi se është i nevojshëm përparimi i mëtejmë në forcimin e
demokracisë, zhvillimi i ekonomisë etj.Në njoftimin për
media thuhet se Gordon e përgëzoi presidenten për zgjedhjen në krye të
vendit dhe tha se kjo shënon një hap të madh përpara, si dhe tregon për
zhvillimin e një demokracie të vërtetë.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Gordon tha se SHBA-ja
është e përkushtuar dhe do të vazhdojë angazhimin e saj në ndihmë
Kosovës dhe gjithë rajonit dhe vlerësoi se është me rëndësi që të gjitha
vendet e Ballkanit të ecin përpara në rrugën e integrimeve evropiane.
Ai tha se synim strategjik i të gjitha vendeve të rajonit është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
Gordon vlerësoi zhvillimet pozitive në Kosovë dhe tha se është i
nevojshëm përparimi i mëtejmë në forcimin e demokracisë, zhvillimin
ekonomik, në fuqizimin e rendit dhe ligjit dhe luftën kundër
korrupsionit, si dhe në tërheqjen e investimeve të huaja.
Ndërkaq, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga tha se
roli kryesor i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor vazhdon të jetë vendimtar
për Kosovën dhe gjithë rajonin dhe përafrimi i vendeve të rajonit me
BE-në kërkon një përfshirje të SHBA-së edhe në të ardhmen.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka nevojë për përkrahjen e
vazhdueshme të SHBA-së dhe të miqve evropianë, për njohjet e reja dhe
për anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Ajo tha se Kosovës i
duhet marrëdhënia kontraktuale me BE-në, meqë do të qartësohej rruga
evropiane e Kosovës, do të krijonte barabarësi me vendet e tjera të
rajonit, etj.
Ajo tha se prania e BE-së në Kosovë nuk mund të jetë neutrale ndaj
statusit, meqë pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se e gjithë
puna në vend bëhet mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Ajo
tha se EULEX-i duhet të ndihmojë në forcimin e rendit dhe të ligjit në
Republikën e Kosovës dhe theksoi se lufta kundër korrupsionit dhe krimit
të organizuar është thelbësore.
Presidentja Jahjaga tha se suksesi në dialogun mes Kosovës dhe
Serbisë është në interes të qytetarëve të të dyja vendeve dhe vlerësoi
se zgjidhjet mund të gjenden nëse respektohen standardet evropiane.
Ajo tha se ndarja e Kosovës, shkëmbimi i territoreve apo riaranzhimi i
brendshëm nuk është zgjidhje dhe kurrë nuk do ta përkrahë, meqë
luftërat për territore në të kaluarën kanë shkaktuar dhimbje dhe kanë
lënë pasoja për të gjithë njerëzit në Ballkanin Perëndimor. /Telegrafi/