Dy ditë pas shpalljes së rezultateve të provimit shtetëror të maturës, rreth 500 maturantë kanë dorëzuar ankesa tek Njësia për Vlerësim dhe Standarde e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës (MASHT), duke shprehur pakënaqësi për vlerësimin e bërë.
Një nga ankesat e cila ka marrë përgjigje në orët e para të paradites së të premtes dhe ka lënë në zyrë punëtorët e kësaj njësie deri në ora 23:00 të mbrëmjes së të enjtes, ka qenë “zhdukja” e testeve të nxënësve të shkollës se mesme teknike “28 Nëntori” në Prishtinë, shkruan Zëri.
Këtyre nxënësve nuk iu janë shpallur rezultatet të mërkurën, ashtu siç ka ndodhur me shkollat tjera në gjithë vendin. Njësia për Vlerësim dhe Standarde ka bërë shpalljen e rezultateve për 150 nxënës të teknikes në Prishtinë, pasi kishte gjetur testet të futura bashkë me raportin e administruesve dhe jo në zarfe siç ka ndodhur me të gjitha qendrat tjera të testimit.
Kjo ka hutuar zyrtarët kompetentë, të cilët nuk kanë gjetur testet, ndonëse kanë kërkuar në të gjitha zarfet, derisa sipas shpjegimit të bërë nga ana e tyre testet janë gjetur të futura në raport. Kjo vonesë ka pamundësuar vlerësimin e testeve me kohë.
Udhëheqësi i Njësisë për Vlerësim dhe Standarde, Mustafë Kadriu, ka pranuar për “Zërin”se me vonesë rezultatet e maturës janë shpallur në këtë shkollë për shkak të pështjellimit të testeve. Sipas tij, nxënësit kanë marrë vlerësim real për dijen e tyre edhe në këtë shkollë.
Kadriu ka thënë se në zyrat e kësaj njësie janë duke u pranuar të gjitha ankesat e maturantëve. Ndërsa ankesat në të cilën maturantët marrin përgjigje shumë shpejt, sipas Kadriut janë rastet e pakta kur atyre nuk iu ka dalë emri në lista qoftë me rezultat pozitiv apo negativ. Kjo, sipas tij, ka ndodhur vetëm në rastet kur aparati (lexuesi optik) nuk ka arritur të përfshijë testin si pasojë e përfshirjes së dy testeve njëkohësisht, dhe një test lexohet kurse tjetri jo.
Ndërkaq pesë nxënës të gjimnazit “Vëllezërit Frashëri”, në Deçan, janë ndëshkuar pasi është verifikuar se kanë kopjuar gjatë provimit të maturës në shkollë, rezultatet e të cilit u anuluan për nxënësit e drejtimit matematikor. /Telegrafi/