Ish-ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir
Limaj, thotë se ndaj tij po zhvillohet procesi i “linçimit publik”.
Drejtësia në Kosovë, sipas tij, po vepron në mënyrë selektive dhe si në
kohën e komunizmit.Në një intervistë ekskluzive dhënë për
gazetën “Zëri”, Limaj thotë se vendi ynë ka nevojë për një drejtësi
perëndimore, ku në fund do të fitojë e vërteta.
“Ky është linçim publik dhe nuk ka të bëjë asgjë me drejtësinë. Në të
kaluarën, në sistemin komunist kur ju keni dashur ta rrënoni një
personalitet, ka mjaftuar një propagandë e linçimit publik dhe ka
përfunduar në burg”, thotë Limaj.
Ish-ministri i Transportit nuk ka dashur ta komentojë shkuarjen e
kryeprokurorit të EULEX-it, Wreeswijk, por është shprehur i bindur se
akuzat e ngritura ndaj tij për korrupsion janë të pabaza. “Unë vazhdoj
të mbaj atë qëndrimin që kam pasur qëkur kam qenë në Ministrinë e
Transportit. Nuk do të mund të gjejnë asnjë gjë që është kundërligjore
ose keqmenaxhim, ose keqpërdorim të fondeve dhe pres që këtë ta thotë
edhe EULEX-i”, është shprehur Limaj.
Ish-komandanti i UÇK-së ka folur edhe për akuzat e ngritura për
zhvillimet që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë. Duke mos hyrë shumë
në detaje të ngjarjeve që kanë ndodhur në atë kohë, ai ka thënë se
drejtësia në fund do ta thotë të vërtetën.
Limaj ka folur edhe për qeverisjen Thaçi II, ku nuk munguan kritikat e
shumta. Sipas tij, deri tani kjo qeverisje nuk ka dhënë rezultatet e
duhura.
“Kjo qeveri nuk është ndërtuar mbi prioritete, por mbi bazën e
interesave të individëve”, tha Limaj, duke shtuar se përgjegjësinë për
sukses ose mossukses e ka kryekëput kryeministri Hashim Thaçi. Ai e ka
mohuar mundësinë e krijimit të një partie të re që do të përbëhej nga
disa njerëz të PDK-së, si Limaj, Jakup Krasniqi dhe të tjerë të
pakënaqur brenda partisë.
Ish-ministri parashikon se Kosova këtë vit do të jetë në suficit, që
siç e quan ai të rrejshëm, derisa viti 2012 dhe 2013 do të jenë vite të
krizës për Kosovën. Limaj si rrezik të madh për Kosovën e sheh synimin e
Serbisë për të nxjerrë një status special për serbët e Kosovës, e cila
autonomi do ta paralizonte shtetin tonë. /Telegrafi/