Zyrtarë të institucioneve të Kosovës dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare, thonë se ata do të vazhdojnë përpjekjet për krijimin e komunës së veriut të Mitrovicës, në bazë të planit të Martti Ahtisaarit. Kjo me gjithë mbajtjen e zgjedhjeve dhe krijimin e komunës paralele serbe të veriut të Mitrovicës nga ana e Serbisë.
Zëdhënësi i zyrës civile ndërkombëtare, Andy McGuffie, i tha Deutsche Welles në një prononcim me shkrim, se zgjedhjet legjitime në veri të Mitrovicës, që pritet të organizohen nga institucionet e Kosovës, do të mbahen pasi të kryhen të gjitha përgatitjet e nevojshme, në mënyrë që komuna e re të mund të funksionojë.
Ai nuk ishte një gjendje të thotë datën se kur do të mbahen këto zgjedhje. Megjithatë McGuffie thotë se në këtë fazë janë të përqendruar në mbështetjen e një procesi të tërë, i cili krijon kushtet e nevojshme për të vazhduar me decentralizimin në bazë të planit të Martti Ahtisaarit.
“Ekipi përgatitor komunal për komunën e re të Mitrovicës së Veriut është emëruar dhe po punon në kryerjen e detyrave të veta, me angazhim të përditshëm të ICO-së dhe Ministrisë së Pushtetit lokal. Është shpallur tenderi për zyrën lokale të komuniteteve. Grupet punuese në kuadër të Grupit Ndërministror të Decentralizimit përfshijnë edhe një fokus grup për veriun”, thotë McGuffie.
Zyrtarë të ministrisë së pushtetit lokal pranojnë, se ka vonesa në krijimin e komunës së veriut të Mitrovicës. Kjo për shkak se në veri të Kosovës është një situatë politike pak më ndryshe në raport me pjesët tjera ku serbët janë shumicë.
“Duhet pranuar se situata në veri të vendit qëndron ndryshe, pra nuk është siguruar terreni që atje të fillohet me veprime konkrete sa i takon procesit të decentralizimit. Megjithatë, këtu kërkohet mobilizim ndër-institucional për të filluar procesi i decentralizmit sipas planit të paraparë”, thotë Lumnije Demi zëdhënëse e Ministrisë së Pushtetit Lokal.
“Ndër përgjegjësitë e Ministrisë së Pushtetit Lokal në realizimin e procesit të decentralizimit është sigurisht themelimi i tri komunave me shumicë serbe Graçanicë, Ranillug dhe Kllokot. Të gjitha veprimet e ndërmarra për themelimin e këtyre tri komunave, që kanë në qenë përgjegjësi e MAPL janë vlerësuar të suksesshme si nga instancat vendore edhe nga ato ndërkombëtare”, thotë Demi.
Sidoqoftë, për serbët e veriut të Kosovës, krijimi i komunës së veriut të Mitrovicës nga Prishtina zyrtare, e mbështetur nga shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, është i papranueshëm. Kështu thotë Marko Jaksic, një nga udhëheqësit e serbëve të veriut.
“Nuk është kjo e gjithë bashkësia ndërkombëtare. Këto janë vetëm shtete perëndimore. Komuniteti ndërkombëtar është shumë më i gjerë, përfshirë Rusinë, Kinën e Indinë. Ekipi serb në Vjenë e ka refuzuar atë ide, që sot Piter Feith dhe Qeveria në Prishtinë duan ta zbatojnë, pra t'i shpallin zgjedhjet në komunat në veri”, thotë Marko Jaksic. /DW/