Ballkani Perëndimor është pjesë e pandashme e Evropës dhe Evropa nuk është komplete pa të gjithë shtatë shtetet e Ballkanit Perëndimor- tha ministri Hyseni në Takimin e Nivelit të Lartë BE – Ballkani Perëndimor në Sarajevë. Ai kërkoi nga përfaqësuesit e BE-së që të shtrojnë kriteret dhe të jenë rigorozë aq sa ka nevojë, por të mos lejojnë që “lodhja e zgjerimit” të dominojë ndaj rëndësisë tepër të madhe dhe përparësive thelbësore që ka integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE pa u vonuar.
Hyseni vuri në spikamë qëllimin strategjik të Kosovës për integrim në BE dhe në NATO, dhe bëri thirrje për një perspektivë më konkrete evropiane, duke konstatuar se kjo do të ishte një shtytje e fuqishme për reformat e nevojshme në Kosovë.
“Ne në Kosovë konsiderojmë se viti 2010 është vit i rëndësishëm i progresit dhe reformave kyçe në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, decentralizimit dhe reformimit të administratës publike. Tashmë kemi filluar zbatimin e një varg reformash ambicioze për të përmbushur standardet dhe kriteret evropiane... Sa i përket liberalizimit të vizave, dua të nënvizoj se qytetarët e Kosovës nuk duhet të lihen prapa dhe të izoluar nga vendet tjera të rajonit. Është e domosdoshme që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të fillojë menjëherë”, tha ministri Hyseni.
Më tutje, Shefi i diplomacisë kosovare theksoi se bashkëpunimi rajonal dhe asistenca e ndërsjellë është shumë e rëndësishme për integrimin e shpejtë të shtatë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Ai tha se, duke punuar së bashku në një agjendë evropiane, Ballkani Perëndimor demonstron pjekurinë për integrime të mëtejme euroatlantike.
Lidhur me bisedimet e mundshme midis Kosovës dhe Serbisë, Hyseni tha se “bashkëpunimi me fqinjët, si dhe bashkëpunimi rajonal, është në fokus të Kosovës si një prioritet i lartë”. Ai shtoi se Qeveria e Kosovës është e gatshme të bisedojë me Serbinë për një varg çështjesh praktike të interesit të ndërsjellë, por, theksoi ministri, këto biseda duhet dhe mund të zhvillohen vetëm si biseda midis dy shteteve të pavarura dhe sovrane, duke bërë të qartë se dialogu do të ndihmonte po ashtu zbutjen e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve midis vendeve tona.
Në përfundim të fjalës së tij, Hyseni theksoi përkushtimin e thellë të Kosovës për të bashkëpunuar ngushtë me institucionet e BE-së dhe me SHBA-të, dhe po ashtu me të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, për objektivat e përbashkëta të paqes dhe sigurisë, stabilitetit afatgjatë dhe natyrisht perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor.