Mbi 4.2 milionë euro mjete të buxhetit të Kosovës, gjatë vitit 2010 përmes tenderëve iu janë dhënë kompanive të cilat në regjistrat e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) figurojnë si kompani joaktive. Në raportin e tij për ATK-në auditori thotë se sipas Ligjit ATK-ja ka të drejtë të çregjistrojë nga regjistri i saj aktiv çdo tatimpagues, kur provohet se për çfarëdo arsye në vitin e fundit fiskal nuk ka realizuar veprimtari.
“Nga evidenca e bizneseve të kategorizuara si joaktive, ne kemi identifikuar se 171 biznese nga 37034 kanë realizuar të hyra nga Buxheti i Kosovës për vitin 2010 në shumë 4,281,963 €. Këto ishin realizuar nga marrëdhëniet kontraktuese që tatimpaguesit joaktivë kishin me organizatat buxhetore të ndryshme”, thuhet në raport. Sipas auditorit, në këtë shumë nuk janë të përfshira të hyrat e tjera që kanë mundur të realizojnë këto biznese nga aktivitetet private.
Auditori për këtë çështje më tej ka konstatuar se disa biznese joaktive kanë deklaruar tatime, duke dorëzuar deklaratat tatimore, por, ka edhe biznese që nuk kanë paguar dhe as deklaruar asnjëherë tatime, ndërsa në anën tjetër kanë realizuar të hyra përmes Thesarit.
Në anën tjetër, zyrtarë të ATK-së thonë se vërtetimi se nuk ka obligime të pa kryera ndaj ATK-së, apo se është në marrëveshje për pagesë me këste është një nga dokumentet e mundshme që një tatimpaguesi i kërkohet nga një autoritet kontraktues qeveritar.
Sipas tyre, kjo është një nga punët e përditshme në shërbimet e edukimit të tatimpaguesve, si dhe me këtë pasqyrohet gjendja e ditës së caktuar kur lëshohet vërtetimi. “Gjendja e tatimpaguesve ndryshon dhe azhurnohet në baza ditore, varësisht nga dokumentet dhe për çdo ndryshim mbesin gjurmë të pa shlyera në sistemin e Teknologjisë Informative. Lista për të cilën bën fjalë Auditori Gjeneral ka qenë si listë informuese për të tjerët, në fazën kur kemi bërë ‘azhurnimin’ e sistemit, dhe se ato biznese në sistemin e TI SIGTAS kanë qenë aktive, ku kanë deklaruar, apo edhe paguar, varësisht nga rregullsia e tyre”, thotë Hava Ademi, zyrtare për media në ATK-së.
Por Avni Zogiani nga organizata “Çohu” thotë se Kosova është fituar në një krizë të rënë institucionale, ku hajnia dhe korrupsioni janë legalizuar. “ATK-ja duhet të kontrollojë gjithçka, është e palogjikshme dhe nuk do koment kur kompania e shuar fiton tenderin. Këta gjera nuk donë me koment sepse po bëhen publikisht dhe askush nuk merr masa për të ndalur”, tha ajo. /Zëri/Telegrafi/