Njëri nga organizatorët e protestës për ndërtimin e xhamisë në qendër të Prishtinës, që tashmë është promovuar nga protestuesit e besimit islam si lider, Fuad Ramiqi, po akuzohet nga një gazetar amerikan i besimit islam se po përpiqet t’i shtrijë rrënjët e organizatave islamike radikale edhe në Kosovë, shkruan Koha Ditore.
Ramiqi, i cili qe arrestuar nga forcat izraelite në fillim të këtij viti, gjersa i ishte bashkuar një karvani për dërgimin e ndihmave në Gaza të Palestinës, po akuzohet nga gazetari
Stephen Suleyman Schwartz, i konvertuar në mysliman, i cili ka shkruar dhjetëra artikuj për islamin në Kosovë, për të cilin ka thënë se duhet të merret si model.
Mirëpo, te Fuad Ramiqi ai sheh një hile në gjithë këtë angazhim. Në një artikull të botuar në gazetën “Standard” të Washingtonit me titull “Nga Kosova në Gaza”, Schwartz thotë se Fuad Ramiqi është përfaqësues në Kosovë i Rrjetit Evropian të Myslimanëve (European Muslim Network) një organizatë fundamentaliste e kryesuar nga Jusuf al-Qaradawi i lindur në Egjipt, por që jeton në Katar dhe akademiku Tari Ramadan.
“Qaradawi dhe Ramadan udhëheqin vëllazërinë radikale myslimane (Musliman Brotherhood) e cila sipas Thomas Joscelyn ka pasur lidhje me incidentin në Gaza që konsiderohet si aksion i kësaj vëllazërie. Hamasi në Palestinë është gjithashtu degë e kësaj vëllazërie dhe Ramadan është njëri prej themeluesve të kësaj vëllazërie në Hassan al-Banna”, thotë ky gazetar.
Gjatë aksionit për dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza, Fuad Ramiqi ishte njeri ndër pjesëmarrësit për thyerjen e bllokadës detare të Izraelit. Ramiqi ishte bashkë me tre shqiptarë - myslimanë të tjerë nga Maqedonia, Sami Emini, Jasmin Rexhepi dhe Sead Asipi.
Stephen Suleyman Schwartz thotë se Fuad Ramiqi – një ish-ushtarak në ushtrinë e ish-jugosllave që iu bashkua ushtrisë boshnjake gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë-Hercegovinë është themelues i kësaj vëllazërie në Kosovë të quajtur “Forumi Mysliman i Kosovës” i krijuar në vitin 2006.
“Në ditët e bllokimi të Gazës, Grupi i Ramiqit kishte preferuar të mbante të fshehtë përfshirjen e tij në gjithë këtë histori. Por në një dokument të vitit 2007 i shkruar në gjuhën angleze dhe i postuar në sajtin zyrtar të Ramiqit dëshmon ideologjinë e tij. Grupi kishte denoncuar edhe një shkollë publike në Kosovë, duke e kritikuar për moslejimin e 12 vajzave që të shkojnë në shkollë me shami. Ndalimi i shamisë nëpër shkolla nga autoritet kosovare ishte bërë paralel me dhënien e një urdhri policëve për të ndjekur dhe arrestuar radikalët islamikë”, ka thënë Schwartz.
“Konfrontimet ndërmjet vahabistëve dhe myslimanëve lokalë kanë qenë të dukshme në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor përshirë dhe Malin e Zi, Bosnjën, Kosovën, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Prania e tre shqiptarëve të Maqedonisë në skenën e gjakderdhjes në Gaza nuk ishte befasuese për vëzhguesit e islamit në Ballkan që kur myslimanët në Maqedoni u janë nënshtruar ndikimit të parasë arabe”, thotë ky gazetar, i cili ka themeluar edhe një shoqatë të quajtur Qendra për Pluralizëm Islamik.
Por Fuad Ramiqi mohon kategorikisht të ketë lidhje. Shkuarjen në Gaza ai ka thënë se e ka bërë vetëm për humanizëm.
“Forumi Mysliman është OJQ e regjistruar. Unë nuk i lexoj dhe nuk i përcjell ato që ju i paskeni përcjellë dhe që i lexoni. Unë jam shqiptar. E kam dhënë një kontribut të madh për këtë vend, kam luftuar për këtë vend, e dua këtë vend. Kjo duket në popull, nuk kam nevojë të kem lidhje, nuk kam, nuk kam pasur edhe nuk do të kem asnjëherë as me Vëllazërinë Myslimane apo me ndonjë organizate tjetër kudo që ndodhet në botë”, ka thënë Ramiqi.
“Absolutisht asnjëherë kurrë në jetën time nuk kam pasur asnjë lidhje me asnjë shoqatë, lëre më organizatë, të cilës ju i referoheni”, tha ai. /Telegrafi/