Ish-shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, para se ta lëshonte Kosovën ishte përkujdesur që të bënte një krahasim të çuditshëm të Kosovës me Afganistanin. Në disa korrespodenca ndërmjet tij dhe komandantit të KFOR-it, gjeneralit Erhard Buhler, të cilat “Koha Ditore” ka arritur t’i sigurojë nga burime ndërkombëtare, ish-shefi i UNMIK-ut përmend incidentet në Afganistan si arsye për të mbajtur në nivel të lartë sigurinë e stafit të UNMIK-ut në Kosovë.
Në një letër dërguar komandantit të KFOR-it lidhur me murin që rrethon selinë qendrore të UNMIK-ut në Mitrovicë, ish-shefi i UNMIK-ut shkruan se muri është i nevojshëm për shkak të sigurisë së stafit të UNMIK-ut dhe kërkon nga KFOR-i që të ndalë Komunën e Mitrovicës nga aksioni për largimin e të njëjtit mur.
Ish-shefi i UNMIK-ut mundohet që pastaj t’ia shpjegojë komandantit të KFOR-it arsyet se pse ky mur është i nevojshëm.
“Më duhet të shtoj se ky aspekt ka një rëndësi edhe më të madhe pas incidenteve tragjike në Mazai-Sharif të Afganistanit, dhe në disa vende të tjera, kur protestat e qeta janë kthyer në të dhunshme dhe kanë shkaktuar vdekjen e stafit të Kombeve të Bashkuara”, shkruan ish-shefi i UNMIK-ut.
Diplomati italian, që sipas burimeve të gazetës letrën e ka shkruar në ditën e fundit të mandatit të tij në Kosovë, ia rikujton komandantit të KFOR-it se është kompetencë e Kombeve të Bashkuara që të vendosin se çfarë masash sigurie nevojiten për stafin e tyre, dhe kërkon nga KFOR-i që të pamundësojë aksionet e mundshme të Komunës së Mitrovicës që të heqë murin rrethues.
Korrespondenca ndërmjet ish-shefit të UNMIK-ut dhe komandantit të KFOR-it ndodh pas një kërkese në letër të kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, i cili kërkon nga UNMIK-u heqjen e rrethojave me qëllim që të lirohet hapësira publike. Në letër, Kastrati ua kujton zyrtarëve të UNMIK-ut se Komuna ka kohë që ka kërkuar heqjen e murit në mënyrë që në atë hapësirë të zbatohet një projekt i Komisionit Evropian për gjelbërim.
Ndërtesa e UNMIK-ut gjendet në qendër të qytetit të Mitrovicës, disa metra në jug të lumit Ibër. Kryetari i Komunës në letrën e shkruar më 27 qershor, ua jep si afat për heqjen e murit zyrtarëve të UNMIK-ut 6 korrikun. Në të kundërtën, Kastrati paralajmëron se Komuna do të detyrohet që vetë t`i heqë shtyllat e këtij muri. /Telegrafi/