Të prekur thellë në shpirt për humbjen e kolegut të tyre Enver
Zymberi, por krenarë që kanë qenë pjesë e operacionit policor për
vendosjen e ligjshmërisë dhe zbatimin e reciprocitetit edhe në pikat
kufitare në Bërnjak e Jarinjë, dy pjesëtarë të njësive elite të Policisë
së Kosovës, tregojnë në detaje për ndërhyrjen në pjesën veriore.Ata në kushte anonimiteti kanë ndarë me lexuesit e “Epokës së re” çastet më emocionuese dhe sfiduese të kësaj ndërhyrje.
Njëri në mbrojtje të Jarinjës, tjetri të Bërnjakut, të panjohur për
njëri-tjetrin, ndihen të privilegjuar që kanë qenë pjesë e një aksioni
vendimtar për shtetin. Përveç uniformës, ata i lidh edhe kauza e
përbashkët: mbrojtja e kufijve të Republikës së Kosovës.
Nisja për në veri
Ka mjaftuar një telefonatë, që secili prej pjesëtarëve të elitës së
policisë ta veshë uniformën blu dhe të niset për në detyrë, pa ditur
saktësisht se për çfarë plani operacional po bëhet fjalë. “Më 25 korrik
rreth orës 20:00 nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës
është dhënë urdhri për përgatitjen e njësive speciale”, tregon polici i
parë.
Ai thotë se përshtypja e parë e policëve ka qenë se po bëhet fjalë
vetëm për ndonjë ushtrim. “Fillimisht kemi menduar se është vetëm një
ushtrim për ta matur kohën e reagimit dhe për ta testuar gatishmërinë
tonë. Ne bëjmë shpesh ushtrime të tilla dhe përshtypja jonë ka qenë se
është thjesht një ushtrim i radhës”, tregon ai.
Pas këtij urdhri ai kujton se rreth orës 21 e 30 kanë arritur në
bazën e Mitrovicës, ku është mbajtur një takim informues nga eprorët më
të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës. “Kur na
thanë të pajisemi me të gjitha mjetet, blindat, helmetat armët e gjata
dhe të gjitha pajisjet e tjera, për një aksion me rrezikshmëri të lartë,
kuptuam se kemi të bëjmë me një operacion shumë të rëndësishëm.
Por, na njoftuan vetë pas pak. Urdhri ka qenë se duhet të shkojmë ta
zbatojmë vendimin e Qeverisë për vendosjen e ligjshmërisë në pikat
kufitare 1 dhe 31 dhe zbatimin e masave të reciprocitetit”, tregon ai.
Më pas, ai thotë se çdonjëri prej policëve me vendosmëri të lartë është
bërë gati për nisjen e aksionit. “Eprorët tanë na kanë pyetur se a jemi
të gatshëm të shkojmë për aksion, mos jemi ndonjëri sëmurë apo ka ndonjë
hezitim për veprim operativ, por askush nuk kundërshtoi. Përkundrazi,
te të gjithë vëreheshin kënaqësia dhe gatishmëria për veprim të
menjëhershëm”, tregon polici, duke shtuar se ka qenë edhe vetë i
ngazëllyer me reagimin e kolegëve.
Ai tregon se janë ndarë në dy grupe, njëri për Jarinjë e tjetri për
Bërnjak. “Jemi ndarë në dy grupe, i kemi ndarë detyrat në detaje dhe
rreth orës 21 e 45 minuta jemi nisur për në pika. Të gjithë policët kanë
treguar gatishmëri për veprim operativ. Gatishmëria e tyre ka qenë 100
për qind. Ne e kemi përgatitur planin që është mbajtur konfident, kemi
llogaritur që gjithçka të shkojë mirë dhe të mos kemi humbje”, thotë ai.
Por, sipas tij, situata në terren fatkeqësisht ka qenë tjetër.
Ai thotë se motiv të madh elitës së PK-së i ka dhënë qëndrimi i
strukturave të larta si nga policia ashtu edhe ato politike nga
ministria. “Na ka dhënë edhe më shumë forcë e motivim kur e kemi ditur
se pas i kemi kryeministrin Thaçi, ministrin e Brendshëm Rexhepi dhe
gjitha strukturat më të larta policore e shtetërore”, rrëfen ai.
Pengesat e para
Pas nisjes ai tregon se shumë shpesh gjatë rrugës kanë takuar
qytetarë serbë të mbledhur në grupe, të cilët kanë dashur t’i pengojnë
për të arritur te caku. “Gjatë gjithë rrugës kemi takuar qytetarë serbë
me vetura me targa serbe, por nuk jemi marrë me ta, e rëndësishme për ne
ka qenë arritja e objektivit: vendosja e ligjshmërisë në pikat
kufitare”, shprehet ai. Pengesa më e madhe në rrugëtimin e tyre drejt
pikës doganore, ai tregon se ka qenë në hyrje në Leposaviq.
“Deri në Leposaviq kemi pasur pengesa të shumta, kurse ajo në hyrje
të Leposaviqit ka qenë më e madhja. Për dhjetë deri në pesëmbëdhjetë
minuta aty janë grumbulluar rreth 1 mijë qytetarë të cilët qëndronin
rreth 30 metra larg nesh”, kujton ai. Nga kjo pozitë policët e Kosovës
kanë parë se dritaret e shtëpive serbe përballë rrugës kanë qenë të
hapura dhe pranë tyre ka pasur njerëz të armatosur, edhe me snajperë.
“Kur e kemi parë këtë situatë, eprorët tanë në vendngjarje kanë
kërkuar sugjerime nga dhoma operative. Pas konsultimit, na është thënë
të mos kthehemi mbrapa”, shprehet polici. Serbët, në numër shumë të
madh, tregon ai, e kishin bllokuar rrugën me bagerë, kamionë, drunj dhe
mjete të tjera të forta. “Fatkeqësisht, ne nuk kemi pasur mjete t’i
largojmë këto pengesa. Eprorët kanë biseduar me një prijës të serbëve që
nuk dëshironin që ne të shkonim te pika. Problemi tjetër ka qenë se
serbët, përveçse të dehur, të cilët kundërmonin alkool, kanë qenë edhe
të armatosur”, thotë ai.
Të gjendur në këtë situatë shumë të rëndë dhe të tendosur, që çdo
çast ka mundur të shpërthejë, policia ka kërkuar ndihmën e KFOR-it për
zhbllokimin e rrugës, së cilës thirrje fillimisht nuk i është
përgjigjur. “Kemi qenë në një situatë që nuk mund të ecej përpara. Nga
eprorët tanë është kërkuar ndihmë nga KFOR-i që ta largonte bllokadën,
por nuk ka ardhur. Kemi mbetur të bllokuar mes Levosaviqit e Rudarit për
orë të tëra”, tregon ai.
Derisa policët e Kosovës ishin të rrethuar nga dy anët nga Rudari dhe
Leposaviqi, në lokacionin tonë rreth orës 03:00 të natës ka arritur
komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler, i cili ka biseduar me serbët.
“Gjatë kësaj kohe ka pasur bisedime në mes të serbëve të përfaqësuar nga
Stefanoviq dhe Bogdanoviq dhe komandantit të KFOR-it, gjeneralit Buhler
dhe udhëheqësit të njësive speciale të PK-së”, tregon ai.
Polici thotë se ka pasur kërkesa të tërhiqen, por kryeministri nuk
është pajtuar me këtë. “Më vonë, pas një takimi në mes të kryeministrit
Thaçi dhe gjeneralit Buhler në një vend në Mitrovicë, të cilët kishin
arritur një marrëveshje, që në pikat doganore të dërgoheshin, me ndihmën
e KFOR-it, doganierët dhe policia e rendit kufitar, në orët e para të
mëngjesit të së mërkurës na është dhënë urdhri që të tërhiqemi”, ka
vazhduar tregimin polici.
Por as rruga e kthimit për ta nuk ka qenë e lehtë, pasi në kthim prej
Leposaviqit deri në Rudare ishin ballafaquar prapë me ekstremistë
serbë.
“Kur kemi arritur në Rudare jemi ndeshur me shumë serbë të revoltuar.
Nuk kemi dashur të përdorim forcë për të kaluar në Mitrovicë, por kemi
vendosur të përdorim rrugë alternative. Kemi mundur të ndërhyjmë, por
pasojat do të ishin shumë të rënda. Kishim forcë ta çanim bllokadën, por
nuk ishte në interesin tonë të vritej askush”, thotë ai.
Dhe për ta evituar më të keqen, policia në këtë rast ka përdorur
rrugë alternative. “Kemi shfrytëzuar një rrugë malore dhe kemi arritur
në Mitrovicë në Drejtorinë Rajonale të PK-së”, tregon ai.
Luftuam ballë për ballë me serbët
Pjesëtari tjetër i Njësisë Speciale të Kosovës ka rrëfyer se si një
grup i tyre është sulmuar rrugës për në pikën doganore 31, ku ka rënë
polici Enver Zyberi. “Me një grup jemi nisur për të shkuar në pikën 31
për ta ndërruar grupin tjetër, por rrugës kemi hasur në një pritë të
organizuar mirë nga ana e serbëve. Rruga ka qenë e bllokuar, kurse nga
të dyja anët anësore të rrugës jemi sulmuar. Në atë rast edhe ne jemi
kundërpërgjigjur me zjarr për ta mbrojtur veten.
Të gjithë kemi treguar profesionalizëm të lartë, kemi luftuar në
afërsi të afërt me serbët e armatosur, nga të cilët dyshohet se ka edhe
të vrarë, por fatkeqësisht kemi humbur edhe kolegun tonë Enver Zymberi.
Enveri, i cili ndodhej në një automjet të policisë jo të blinduar, është
qëlluar nga një snajperist”, tregon ai.
Në bazë të mënyrës se si janë sulmuar dhe armëve që janë përdorur nga
bandat e organizuara kriminale , dyshohet se pjesë e serbëve të
organizuar kanë qenë edhe njerëz të MUP-it.
Ai në vazhdim thotë se, pasi e kanë njoftuar bazën për gjendjen, kanë
marrë një urdhër tjetër për t’u tërhequr nga aty. “Na erdhi urdhri nga
baza, se duhet të tërhiqemi dhe u tërhoqëm, edhe pse ishim të përgatitur
edhe për situata edhe më të rënda. U tërhoqëm për faktin se objektivi
ynë ishte arritur: në pikat kufitare ishin kolegët tanë dhe doganierët e
Kosovës”, ka thënë polici.
Përderisa tregon se edhe në terren EULEX-i nuk i ka përkrahur në
operacionin e tyre për marrjen e të dy pikave doganore, ai lavdëron
KFOR-in për rolin pozitiv që ka luajtur në këtë rast. “Veprimi i KFOR-it
është për t’u lavdëruar”, thotë ai.
Dhe si çdo situatë që nxjerr në dritë anët pozitive dhe negative,
edhe në këtë rast të dy policët tregojnë se është vërejtur se Njësisë
Speciale të Kosovës i nevojiten më shumë mjete të blinduara dhe më shumë
armë të gjata e moderne.
Dhimbje dhe krenari për kolegun Enver Zymberi
Pikat u morën pas 12 vjetësh nën kontroll nga shteti i Kosovës, por
policia mbeti pa njërin prej djemve më të mirë të saj, Enver Zymberi.
Pos krenarisë, të dy policët i bashkon dhimbja për kolegun e vrarë,
tashmë i shpallur edhe hero. “Ndiejmë dhimbje për kolegun e vrarë në
detyrë, Enver Zymberi, por edhe krenarë për shëmbëlltyrën e tij.
Familjes së Enverit i shprehim ngushëllime më të thella. Dhimbjen për
Enverin e kemi kthyer në krenari dhe objektivin e tij do ta realizojmë
në tërësi në praktikë”, sikur betohet njëri nga policët.
Ata nuk i zmbraps humbja e kolegut, madje shprehen të gatshëm që në çdo çast të jenë aty ku i kërkon Kosova. /Telegrafi/