Më shumë se 12 vjet prej kur Kosova mbeti me plagën e pazgjidhur të mijëra të zhdukurve gjatë luftës, ende nuk kemi antropologë, arkeologë e as profile tjera të profesionistëve, që do të merreshin drejtpërdrejtë me çështjen e zbardhjes së fatit të të pagjeturve.
Sikur Kosova t’i kishte këto kuadro profesionale, përfaqësuesit institucionalë vendorë, si dhe përfaqësuesit e familjarëve të të zhdukurve mendojnë se procesi do të ecte me hapa shumë më të shpejtë, shkruan gazeta Zëri.
Derisa zyrtarë të EULEX-it vazhdojnë të proklamojnë kalimin e kompetencave sa i përket kësaj çështjeje tek vendorët, as pala ndërkombëtare që për më shumë se në dekadë e ka udhëhequr këtë proces e as ajo vendore nuk kanë bërë asnjë hap për përgatitjen e kuadrove, që do të merrnin në duart e tyre këtë proces pas largimit të ekspertëve të EULEX-it.
Alan Robinson, bashkëdrejtues i Departamentit të Mjekësisë Ligjore thotë se po punohet për ngritjen e kapaciteteve vendore në këtë fushë.
“Gjëja më e rëndësishme për mua është transferimi i aftësive apo shkathtësive tek autoritetet lokale. Në kuptimin e të zhdukurve EULEX-i nuk mund ta kryejë krejt punën. Ne kemi për momentin disa projekte, që asistojnë në ndërtimin e kapaciteteve vendore në këtë çështje”, ka saktësuar ai.
Sipas tij, në këtë moment kanë arritur nivelin, ku mund të ndërtojnë një përvojë tek stafi vendor. Një çështje, që do t’iu kalojnë kuadrove vendore, ai ka thënë se ndoshta në fillim të vitit të ardhshëm ata do të marrin përsipër çështjen e identifikimeve të gabueshme.
Por, kështu nuk mendon Arsim Gërxhaliu, drejtor i Departamentit të Mjekësisë Ligjore. Sipas tij, bartja e kompetencave nga EULEX-i tek vendorët nuk mund as të paramendohet, sepse në mungesë të antropologëve mjeko-ligjorë, ende ata janë edhe më tutje të varur nga ndërkombëtarët.
Gërxhaliu sqaron se në vitin 2006, ishin pranuar dy mjekë në DML, por ata nuk janë paraqitur asnjëherë në punë për shkak të pagave të ulëta, ndërsa konkursi për rekrutim të kuadrove në këtë fushë ishte përsëritur pa sukses edhe 3 herë të tjera.
Edhe Haki Kasumi, udhëheqës i Këshillit koordinues të Asociacionit familjar të të pagjeturve të Kosovës thotë se edhe ata kanë kërkuar vazhdimisht që të punohet në drejtim të ngritjes së kapaciteteve vendore të nevojshme për procesin e zbardhjes së fatitt të të zhdukurve. /Telegrafi/