Presidentja Atifete Jahjaga, me rastin e Ditës së të Pagjeturve, ka deklaruar se pasojat e luftës në Kosovë kanë qenë të rënda dhe se ajo ndan dhimbjen me të gjitha familjet e personave të pagjetur. Presidentja ka thënë se shteti i Kosovës ka bërë, është duke bërë dhe duhet të bëjë çdo gjë që është e mundur për të lehtësuar dhimbjen e familjarëve të familjeve të dëshmorëve dhe të të pagjeturve si dhe të rikuperojë dëmin.
Presidentja i bëri këto komente pas takimit me anëtarë të Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur dhe përfaqësues të shoqatave të të pagjeturve, të cilët e njoftuan me angazhimet e deritashme për zbardhjen e fatit të familjarëve të tyre të pagjetur.
Ndërkohë ajo ka bërë edhe një deklaratë me rastin e Ditës së të Pagjeturve, presidentja ka lëshuar edhe një deklaratë për media. “Fakti se ende ka mbi 1.800 persona të pagjetur, që i mungojnë Kosovës, tregon se përgjegjësia e plotë mbi këtë çështje është ende larg nga të qenit e përfunduar dhe ankthi i familjeve edhe sot po vazhdon. Unë dua ta shfrytëzoj këtë rast për t’u bërë apel edhe autoriteteve të Republikës së Serbisë që të japin të gjitha informatat dhe të ndihmojnë për të zgjidhur fatin e personave të pagjetur nga Kosova”.
“Zbardhja e fatit të personave të pagjetur dhe sjellja para drejtësisë e autorëve të këtyre krimeve monstruoze, do t’i ndihmonte familjet për të kapërcyer të kaluarën tragjike dhe do të kontribuonte për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon. Qeveria e Republikës së Kosovës do ta ketë gjithë përkrahjen time që të forcojë kapacitetin profesional të institucioneve që merren me çështjen e personave të pagjetur, në veçanti të kapaciteteve të Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur”.
“Kërkoj nga EULEX-i që në përputhje me Ligjet e Republikës së Kosovës, të bashkërendojë të gjitha aktivitetet me institucionet e Kosovës dhe të intensifikojë përpjekjet për gjetjen dhe identifikimin e të gjithë atyre që janë zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Kuvendi i Kosovës është në procedurë të miratimit të Ligjit për Personat e Pagjetur, dhe institucionet e Kosovës si dhe unë si Presidente garantojmë zbatimin e plotë të tij”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e presidentes Jahjaga. /Telegrafi/