Ruajtja e status quo-s dhe mbijetesa e katër institucioneve paralele në komunat e veriut paraqet rrezik potencial për shpërthime, thuhet në buletinin e këtij muaji të Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi.
Fillimi i bisedimeve teknike mes Prishtinës dhe Beogradit pengohet në çdo hap për shkak të paqëndrueshmërisë së kësaj gjendje që po zgjatë shumë. Tensionet e vazhdueshme në mes të shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë po shndërrohen në konflikt të ngrirë. Kjo gjendje në afate të gjata kohore sjell rreziqe të mëdha.
Eskalimi i para ca kohëve vuri në rend të ditës çështjen e veriut, meqë Beogradi kurrë nuk i ka tërhequr organet e saj paralele nga veriu i Kosovës. Insistimi në ndarje kërcënon që Serbia të fajësohet për destabilizimin konsekuent të Maqedonisë, Bosnjës dhe vetë Serbisë, thuhet në buletin, transmeton “B92”.
Kontrollimi i kufijve do të ketë efekte pozitive për të dyja palët. Mbi të gjitha kjo do të nënkuptonte eliminimin e krimit të organizuar, kontrabandës, e tregtisë ilegale në Ballkan. Të njëjtën kohë do të dobësonte lidhjen mes krimit të organizuar dhe politikanëve.
Nga tregtia ilegale po buron pushteti shoqëror dhe politik mes serbëve dhe mes shqiptarëve. Sidomos mes serbëve në veri dhe partive të lidhura me ta në Beograd, të cilat nuk lejojnë stabilizimin e situatës, sepse për ta sundimi i ligjit është i papranueshëm.
Me vendosjen e pikave kufitare nën kontrollin e KFOR-it dhe ndalimin e kthimit në gjendjen e mëparshme, janë krijuar kushtet për vendosjen graduale të veriut të Kosovës nën kontrollin e pushtetit në Prishtinë dhe zbatimin e planit të Ahtisaarit edhe në veriun e Kosovës.
Kjo lehtëson pozitën e Beogradit, sepse status quo-ja në veri kërcënon qeverinë aktuale e cila asnjëherë nuk ishte e gatshme që vetë të ndërmarrë hapa në drejtim të zgjidhjes së problemit.
Eskalimi i situatës në verë ka krijuar parakushte për dialogun Prishtinë-Beograd dhe hapësirë për lëvizje të duhura e të rëndësishme me rëndësi për të dyja palët, përfundon raporti i Komitetit të Helsinkit. /Telegrafi/