Garda Kombëtare në Iowa i ka kontribuar paqes në Kosovë në tetë vitet e kaluara. Tashti ushtarët dhe civilët e Iowas janë angazhuar për ta përforcuar dhe stabilizuar shtetin e Evropës juglindore.
Delegacioni i 13 anëtarëve të zyrtarëve qeveritarë nga Kosova kanë kaluar katër ditë të javës së kaluar këtu, si pjesë e një partneriteti shtetëror me Iowa. Ata janë takuar me guvernatorin Terry Brandstad, kanë vizituar bazat ushtarake në Kampin Dodge, kanë biseduar me zyrtarët e Universitetit shtetëror në Ames, janë konsultuar me udhëheqësit për shëndetësi dhe bujqësi, si dhe kanë vizituar panairin shtetëror.
“Jam i impresionuar me mikpritjen e njerëzve këtu”, ka thënë Agim Çeku, ministër i Mbrojtjes në Kosovë, raporton “Des Moines Register”.
Ai ka thënë se partneriteti shtetëror me Iowa do ta ndihmojë profesionalizimin e forcave të tij dhe se do të thelloj bashkëpunimin për sektorin bujqësor, shëndetësinë publike dhe shkollat.
Lidhja formale mes Iowas dhe Kosovës është potencuar në mars nga Branstad. Një delegacion i zyrtarëve nga Iowa, përfshirë gjeneralmajorin Tim Orr të Gardës Kombëtare, kanë udhëtuar në maj në Kosovë.
“Nuk flitet vetëm për aspektin ushtarak se si Garda Kombëtare mund të ndihmojë njerëzit e Kosovës”, ka thënë Orr.
Kosova, ish provincë e Jugosllavisë, gjendet brenda regjionit që një kohë të gjatë ka parë luftëra etnike. Kosova e ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008. Ditën e nesërme SHBA-të e kanë pranuar Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.
Në prill, Vladimir Petrovic, ambasadori serb në SHBA, ka thënë se shteti i tij është i vetëdijshëm që përkushtimi i Iowas për Kosovën është bërë me qëllime të mira. Por, ai është i shqetësuar sepse shteti i tij “kundërshton liderët që kanë kryer krime”.
Zyrtarët e Kosovës thonë se këto pohime janë të pabaza. Departamenti shtetëror i Mbrojtjes ka thënë se SHBA-të mbështesin hetimet për akuza të tilla, por beson se angazhimi me të gjithë partnerët amerikan në Ballkan, përfshirë Serbinë, do të përforcojë stabilitetin, kooperimin dhe sundimin e ligjit në rajon.
Çeku, 50 vjeç, ish kryeministër i Kosovës, është komandant i lartë ushtarak. Ai ka dhënë një intervistë për “The Des Moines Register” por nën rregullat e caktuara nga Garda Kombëtare që kufizonte disa pyetje për çështjet e vizitës së delegacionit të tij dhe partneritetin me Gardën Kombëtare, duke anashkaluar edhe pyetjet për pohimet për krime lufte.
Ish ambasadori amerikan Victor Jackovich, që ka shërbyer në Ballkan në vitet ’90, është i njohur për Çekun. Në një email, Jackovich, i cili tash gjendet në Vjenë, e ka përshkruar Çekun si “figurë jashtëzakonisht të rëndësishme në Ballkan”. Ai ka thënë se vizita e Çekut javën e kaluar në Iowa ishte një hap historik për Kosovën, duke shtuar se ai ka qenë i nderuar ta pres Çekun në Washington gjatë vizitës së tij të parë në SHBA më 2004.
Që nga viti 2003, më shumë se 700 burra dhe gra nga Garda Kombëtare e Iowas kanë shërbyer në Kosovë. Në prill, 65 ushtarë nga Kompania C, Batalioni i Dytë nga njësia 147 e Aviacionit në Boone, është kthyer nga Kosova pas një misioni njëvjeçar paqeruajtës.
Koloneli Gregory Hapgood Jr., zyrtar për marrëdhënie me publikun në Gardë, ka thënë se është traditë që ushtarët që shërbejnë në Kosovë të angazhohen edhe në aktivitetet shtetndërtuese, siç është ligjërimi i anglishtes nxënësve dhe mbështetja e projekteve të ndryshme. Garda Kombëtare planifikon të dërgoj në shtator një oficer me orar të plotë në Kosovë, që ta nisë turnin dyvjeçar për ta ndihmuar koordinimin e Iowas dhe Kosovës.
Çeku tha gjatë vizitës së tij se është befasuar me respektin që kanë ushtarët e Gardës dhe frymën e moralin brenda Gardës. Gjatë vizitës së tij në panair, njerëzit u afroheshin ushtarëve për t’i falënderuar për shërbimin e tyre. Disa nga vizitorët u kanë shprehur falënderime edhe ushtarëve të Kosovës që kishin uniformat e tyre, duke menduar se janë gardistë të Iowas.
“Për një ushtar ka shumë rëndësi që njerëzit të çmojnë shërbimet e tij”, ka thënë Çeku. “Kushdo që i ka parë, ka thënë: a mund të përshëndetemi. Kam parë se sa besim dhe se sa krenar janë për këtë”.
Çeku ka thënë se shpreson se dallimi mes ushtarëve të Gardës së Iowas dhe Forcave të Sigurisë në Kosovë do të jetë i padallueshëm,.
“Ky është fillimi. Tash kemi një model dhe partner për të ndërtuar forcat tona të sigurisë sipas standardeve më të mëdha”. /Telegrafi/