Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar të enjten se për herë të parë në historinë e Kosovës, vajzat dhe djemtë e Kosovës e mbajnë në kontroll vijën kufitare në këtë pjesë të Kosovës që kufizohet me Serbinë.
Këto komente Thaçi i bëri të enjten gjatë një vizite që u ka bërë bizneseve në komunën e Gjilanit, përkatësisht fabrikës për prodhimin e lëngjeve dhe produkteve ushqimore “ASK Foods”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
“Pikat kufitare në veri të Kosovës janë nën kontroll dhe atje nuk ka kontrabandë”, ka thënë Thaçi, duke theksuar se marrëveshja mes Qeverisë së Kosovës dhe KFOR-it do të respektohet me përpikëri dhe se reciprociteti po vazhdon të respektohet dhe nuk ka asnjë dilemë se kjo çështje do të vazhdohet.
“Këto dy pika kufitare tanimë janë zona të kufizuara ushtarake dhe tanimë atje vlejnë rregullat ushtarake. Do të vazhdohet me implementimin e plotë të agjendës së planifikuar të respektimit të masave të reciprocitetit dhe në atë çështje nuk do të ketë asnjë dilemë, asnjë pikëpyetje se a do të respektohet apo jo. Në anën tjetër dëshiroj të theksoj se përpos kuptimin e angazhimit të kontrollit në pikat kufitare 1 dhe 31, më lejoni të theksoj se vendimi i 25 korrikut për marrjen në kontroll nga forcat e Kosovës të vijës kufitare mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë po ndodh përherë të parë pas 12 viteve”, ka thënë Thaçi.
Kryeministri Thaçi ka ritheksuar se pas 12 vjetësh për herë të parë veriu i vendit është vënë nën kontroll të institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare.
Kryeministri Thaçi gjithashtu ritheksoi se Qeveria nuk është në konfrontim me qytetarët serb atje, pasi që edhe ata janë qytetarë të Kosovës dhe do të investohet atje. Kryeministri ka shtuar se qeveria në pjesën veriore është një betejë me strukturat kriminale që mbajnë peng rreth 40 mijë qytetarë serbë.
Kryeministri Hashim Thaçi theksoi se strukturat kriminale që kanë pretenduar për të sfiduar Qeverinë e Republikës së Kosovës, KFOR-in, EULEX-in dhe gjitha institucionet ndërkombëtare, do të ballafaqohen me drejtësinë. /Telegrafi/