Kancelarja gjermane, Angela Merkel, nesër dhe pasnesër do të vizitojë Zagrebin dhe Beogradin. Mediat gjermane presin shtim të presionit gjerman ndaj Serbisë. Ato shkruajnë se nga Beogradi një kohë të gjatë është pritur pranimi i Kosovës dhe se kjo kërkesë mund të përsëritet edhe gjatë procesit të asociimit të Serbisë në BE.
Kancelarja gjermane në një video-prononcim ka thënë dje se në Beograd do të kërkojë që Serbia të rinisë dialogun me Kosovën. Ajo shtoi se të gjitha anëtaret e BE-së duhet të shprehin vullnet që konfliktet e tyre t’i zgjidhin paqësisht – me dialog dhe respektimin e principeve të shtetit ligjor. Kjo vlen, siç ka tërhequr vërejtjen Merkel, si për shtetet që ka kohë që janë anëtare të BE-së ashtu edhe për ato që duan t’i bashkohen.
Sipas medieve gjermane, të cilat thirren në burime qeveritare, Merkel në Beograd do të shtoj presionin ndaj Serbisë. Qëndrimi gjerman është që kufijtë në Ballkan përfundimisht të definohen dhe se integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm, qëndrim ky për të cilin është i njohur Serbia sikur edhe për faktin se në Berlin negativisht shihen spekulimet se konflikti mes Prishtinës dhe Beogradit mund të zgjidhet përmes bashkimit të veriut të Kosovës në Serbi.
Ditorja gjermane "Handelsblatt" transmeton pikëpamjet e qeverisë gjermane se procesi i anëtarësimit në BE është pothuaj i pamundur nëse Serbia nuk e ndalon këtë retorikë.
“Në lidhje me bisedimet e mundshme për Serbinë për hyrjen në BE, po ashtu është e çartë se qeveria gjermane një kohë të gjatë pret pranimin e Kosovës. Është joreale që kjo të kërkohet para fillimit të bisedimeve (për anëtarësim). Gjatë procesit atëherë ky mund të jetë një kusht”, shkruan "Handelsblat", transmeton “B92”.
Sidoqoftë, nga qarqet qeveritare nuk thuhet nëse Berlini pret që pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë pranuar Kosovën do ta bëjnë këtë së shpejti dhe se cilat kërkesa do t’i drejtohen Beogradit nëse kjo nuk ndodhë.
"Handelsblat" thotë se përfaqësuesit qeveritarë gjermanë janë të përmbajtur kur është fjala për deklaratat konkrete të perspektivës evropiane të Serbisë, duke shtuar se duan ta presin raportin e Komisionit evropian i cili do të jetë gati deri më 12 tetor.
Njohësit e rrethanave të Ballkanit nga Berlini presin që Gjermania sipas të gjitha gjasave do ta mbështes dhënien e statusit kandidat të Serbisë, por se nuk do të caktohet dita e fillimit të bisedimeve.
Bashkëbisedues të kancelares Merkel në Beograd do të jenë kryetari serb Boris Tadic dhe kryeministri Mirko Cvetkovic. Bisedë teme do të jetë integrimi evropian i Serbisë si dhe marrëdhëniet në rajon, mbi të gjitha të Serbisë ndaj Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës. /Telegrafi/