“Gjysmë” heqja e barrikadave nga serbët dhe kërcënimet për rikthimin e tyre shihen si përpjekje për futjen e veriut në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas analistëve politikë dhe partive opozitare, kjo lojë orkestrohet nga Beogradi zyrtar me synimin që veriun ta fusë në agjendën e bisedimeve, madje qysh më 2 shtator.
Idesë së serbëve duket se po i ndihmon edhe Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Punëve të Brendshme, me dërgimin e Njësisë Speciale të Policisë, ROSU, për stërvitje në jug të qytetit të Mitrovicës.
Të mërkurën në mëngjes, zyrtarë serbë që veprojnë në veri u alarmuan kur kanë parë praninë e njësiteve speciale të PK-së, duke e shprehur shqetësimin e tyre se organet e Prishtinës sërish po tentojnë të futen në veri.
Duke folur për gazetën “Zëri”, Oliver Ivanoviq ka konfirmuar se në momentin e parë kur ata të shohin prani të ROSU-t apo diçka të njëjtë, janë të gatshëm të realizojnë bllokada të reja menjëherë.
Të mërkurën me orë të tëra është thënë nëpër media të ndryshme se ROSU ishte nisur drejt veriut për të kryer arrestime të personave që dyshohen se janë autorë të vrasjes së policit Enver Zymberi. Ky lajm megjithatë është hedhur poshtë nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka thënë se njësitet e ROSU kanë shkuar në Mitrovicë - jo në veri - për të bërë ushtrime.
“Zëri” jozyrtarisht merr vesh se për këto “ushtrime” nuk kanë pasur fare dijeni misionet ndërkombëtare në Kosovë.
“Nuk duam të dyshojmë në atë që e thotë Qeveria, por jemi të habitur se pse nga gjithë territori i Kosovës është zgjedhur pikërisht Mitrovica për të kryer ushtrime ROSU, njësite këto që me javë të tëra vazhdojnë të jenë kryelajmi i trazirave të fundit në veri”, kanë thënë për “Zëri” burimet ndërkombëtare.
Sido që jetë, gjithë këtë situatë analistë dhe opozita e shohin si lojë të rrezikshme të serbëve të veriut për të krijuar përsëri tensione në mënyrë që tema e veriut të futet në dialogun Prishtinë-Beograd më 2 shtator.
Analisti Behxhet Shaka ka thënë se ushtrimet e ROSU në veri të Mitrovicës serbët e veriut i kanë përdorur si pretekst për t’i kthyer barrikadat atje.
“Qëllimi i Serbisë është që ta eskalojë edhe njëherë situatën në veri, në mënyrë që dialogu për veriun të jetë i domosdoshëm”, ka thënë Burim Ramadani, sekretar i përgjithshëm në AAK.
Edhe Haki Demolli, nga LDK, mendon se këto janë lojëra të Beogradit që ta fusin këtë çështje në bisedime. Por, ai nuk beson se do të lejohet kjo nga ndërkombëtarët dhe nga Kuvendi i Kosovës. /Telegrafi/