Partia e Drejtësisë nuk do të mund ta shtyjë përpara çështjen e organizimit të referendumit për deklarimin e kosovarëve nëse duan të lejojnë mbajtjen e shamive nga nxënëset në shkolla dhe nëse duan që pjesë e kurrikulës të jetë edhe lënda e mësim-besimit, shkruan sot “Koha Ditore”. Kushtetuta e ndalon këtë.
Neni 81 i aktit më të lartë juridik të vendit flet për legjislacionin me interes vital. Aty theksohet se për miratimin, ndryshimin ose shfuqizimin e ligjeve që kanë këtë status kërkohet vota e shumicës së deputetëve të Kuvendit, të cilët janë të pranishëm dhe që votojnë, si dhe të shumicës së deputetëve të Kuvendit që janë të pranishëm dhe që votojnë, të cilët mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë. Po në këtë nen precizohet se “asnjëri nga ligjet me interes vital nuk mund t’i nënshtrohet referendumit”.
E në mesin e ligjeve me interes vital, sipas nenit 81 të Kushtetutës, janë edhe “ligjet për liritë fetare ose për marrëveshjet me komunitetet fetare”, si dhe “ligjet për arsimin”.
Dy ditë më parë Kuvendi i Kosovës ka votuar ndryshimet në Ligjin për arsimin parauniversitar, dhe me një votim të ngushtë nuk ka përfshirë në to dy amendamentet e sponsorizuara nga grupi parlamentar i Koalicionit për Kosovë të Re, pjesë e të cilit janë edhe deputetët e Partisë së Drejtësisë. Amendamentet ishin mbështetur edhe nga dy grupe parlamentare të tjera, duke çuar në 27 numrin e deputetëve sponsorues.
Njëri amendament thoshte se “institucionet shkollore publike dhe private duhet të përmbahen nga çdolloj i diskriminimit fetar apo etnik, si dhe përhapja e urrejtjes ndërfetare e etnike”, e tjetri se “institucionet shkollore, publike dhe private i japin rëndësi të veçantë komponentit edukativ të procesit mësimor nëpërmjet zbatimit të lëndës edukata fetare dhe morale, si lëndë fakultative (joobliguese), në pajtim me standardet dhe praktikat më të mira të shteteve të Bashkësisë Evropiane”.
Pas kësaj Ferid Agani, që është ministër i Shëndetësisë dhe kryetar i Partisë së Drejtësisë, ka thënë se do të propozojë mbajtjen e një referendumi.
“Mund të bëhet një referendum me pyetjen nëse jeni për ose kundër edukatës fetare në shkolla”, ka thënë Agani për KTV-në. “Besoj se shumica do ta përkrahin propozimin tonë”.
Por kjo iniciativë tashmë është lënë mënjanë.
Amir Ahmeti, nënkryetar i Partisë së Drejtësisë dhe deputet që kishte kërcënuar se do të largohej nga koalicioni qeveritar në rast se amendamentet nuk kalojnë, ka thënë të jenë marrë vesh me kryeministrin Hashim Thaçi që çështjes t’i japin zgjidhje së shpejti.
“Kemi marrë premtimin nga kryeministri që shumë shpejt do të ndalet diskriminimi i vajzave që bartin shami, të cilave nuk u lejohet të vijojnë shkollimin. Është çështje ditësh, dhe jo javësh ose muajsh kur do të rregullohet kjo”, ka thënë Ahmeti, duke aluduar në shfuqizimin e paragrafit të një udhëzimi administrativ, me të cilën s’u lejohet vajzave që gjatë orës së mësimit të mbajnë shami. “Pastaj një komision parlamentar së bashku me Qeverinë do të diskutojnë mundësinë që së pari të vizitohen disa vende evropiane, të merren modelet e tyre dhe në bazë të standardeve dhe praktikave evropiane të kthehemi me një raportim në Kuvend dhe të hapim debatin gjithëkombëtar e të shohim mundësinë e amendamentimit të ligjit”, ka shtuar ai.
Sikur ky premtim të mos merrej, ai ka thënë se do ta kishin mbajtur fjalën që tre deputetët e Partisë së Drejtësisë të dilnin nga koalicioni, duke lënë partnerët e koalicionit me shumicë fare të brishtë në Kuvend.
Deri më tash nuk ka pasur lëndë fetare në shkollat e Kosovës, përjashtuar ato të sistemit paralel serb. Ndërkaq prej dy vjetësh nuk iu është lejuar të vijonin mësimin në shkolla publike nxënësve që kanë refuzuar të heqin shamitë gjatë orarit të mësimit.
Koalicioni për Kosovë të Rr, pjesë e të cilit ka qenë edhe Partia e Drejtësisë, në fushatën elektorale për zgjedhjet e fundit kishte dhënë premtimin për inkorporimin në kurrikulë të lëndës fetare dhe për mundësinë që do t’ua krijonte vajzave në ndjekjen e shkollimit, pavarësisht nëse ato refuzojnë të zbulojnë kokën.
Ky subjekt politik është i përfaqësuar me 9 deputetë në Kuvend dhe është në koalicion qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës, ministri i Arsimit i së cilës parti gjatë mandatit të shkuar kishte sanksionuar me një udhëzim administrativ përjashtimin nga klasa të nxënëseve që nuk hiqnin shamitë.
Në mandatin e ri kjo parti sërish ka mbajtur Ministrinë e Arsimit për vete, por e ka ndërruar ministrin. Enver Hoxhajn e ka zëvendësuar me Ramë Bujën.
Buja i ka thënë gazetës se nuk e ka problem të implementojë çfarëdo vendimi që merr Kuvendi.