Pas vizitës së kancelares gjermane, Angela Merkel, në Beograd, gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) publikoi një artikull interesant të autorit Prof. Dr. Christian Schwarz Schilling. Ky i fundit kërkon nga EULEX-i të mos rrijë duarkryq, ndërsa Bashkimit Evropian i sugjeron të bëj presion mbi Serbinë të tërhiqet nga veriu i Kosovës, dhe nëse kundërshtohet nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, t’i ndëshkojë edhe ato.
Sipas Schilling, konkludimi i korrespondentit të FAZ nga Mitrovica, Michael Martens për një “status special për veriun e Kosovës të përshtatshëm për Beogradin” është plotësisht i pakuptimtë, sepse kjo do të nënkuptonte një kthesë, por një kthesë në drejtimin e gabuar.
“Apo nuk e mori Evropa para pak kohësh një mësim të mirë nga Ballkani për të shtyrë gjërat në drejtimin e duhur? Shembulli më i mirë për këtë është Kroacia e cila tregoi se si zgjidhet një situatë e tillë... Kur Kroacia, kroatëve në Bosnjë, ju bëri me dije që përkatësia e tyre në shtetin e Bosnjë Hercegovinës është jashtë çdo diskutimi dhe se ata duhej që të drejtoheshin përfundimisht drejt Sarajevës, atëherë ndryshoi dukshëm edhe situata politike. Ky qëndrim i Kroacisë ishte stabilizues për rajonin dhe përmirësues i marrëdhënieve mes dy shteteve në fjalë”.
“Pra nëse Serbia kërkon të drejta të posaçme autonome për serbët në veri të Kosovës, atëherë mund të zbatohet propozimi i Ahtisarit, por ky propozim i cili parasheh një decentralizim të Komunave dhe më këtë edhe të Komunave të reja të cilat administrohen nga pakica serbe, vazhdon të kundërshtohet nga vetë Serbia. Në Jug të lumit Iber i cili de facto ndanë zonat e ndikimit mes Prishtinës dhe Beogradit ky plan është zbatuar me sukses. Në anën tjetër në veri të vendit ky proces ka dështuar për shkak se është penguar nga Beogradi – me pasojat e rënda të muajit Korrik”, shkruan Schilling.
Ish përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian në Bosnje Hercegovinë shkruan më tutje se për ti shtyrë gjërat në drejtimin e duhur, sipas tij janë të domosdoshëm hapat si në vijim:
E para: EULEX-i nuk guxon të kërruset para çdo konflikti që ka të bëjë me statusin e Kosovës dhe kështu të shndërrohet në një protokollant të një gjendje joligjore. Mandati i EULEX-it duhet të përfshijë edhe masat përmes të cilave do mund të zbatonte ligjin edhe në veri të vendit.
E dyta: Bashkësia ndërkombëtare posaçërisht BE-ja duhet të shtojë presionin mbi Beogradin, në mënyrë që të ndalojë sabotimin e proceseve paqësore.
E treta: Qytetarët e veriut të Kosovës e posaçërisht ata të pakicës serbe janë qysh tani viktima të strukturave mafioze dhe vazhdojnë të mbesin peng i konfliktit. Qortimi ndaj Beogradit, në funksion të zbatimit të domosdoshëm të ligjit, duhet të shtohet në Bruksel përmes masave përkatëse. Këtu hyjnë sqarimi definitiv i qëndrimit të Evropës i cili do të manifestohej përmes përcaktimit të duhur të misionit evropian të EULEX-it. Nëse kjo pengohet, sepse pesë vota kundër - përballë 22 shteteve do e paralizojnë aftësinë e BE-së për të vepruar, atëherë ndaj këtyre shteteve duhet të ndërmerren masa adekuate ndëshkuese. /Telegrafi/